Futboll

Italia e Gjermania përballen në çerekfinale të Ligës së Kombeve

liga

Të premten është tërhequr shorti edhe për çerekfinalen e Ligës së Kombeve të UEFA-s. Tetë përfaqësuese luftojnë për titull të kampionit të Ligës së Kombeve.

Itali – Gjermani vlerësohet çerekfinalja kryesore. Kroacia takohet me Francën,  Holanda me Spanjën e Danimarka me Portugalinë.

Ndeshjet zhvillohen më 20 dhe 23 mars të vitit të ardhshëm. Gjermania, Franca, Spanja e Portugalia ishin bartëse në short dhe do të jenë vendase në ndeshjet e dyta.

Fituesi i ndeshjeve Itali – Gjermani përballet në gjysmëfinale me fituesin e ndeshjeve Danimarkë – Portugali.

Fituesi i ndeshjeve Holandë – Spanjë në gjysmëfinale përballet me fituesin e takimeve Kroaci – Francë.

Gjysmëfinalet janë  më 4 e 5 qershor 2025. Ndeshja për vend të tretë dhe finalja e Ligës së Kombeve janë më 8 qershor të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë në plejofin  për mbetje apo inkuadrim në Ligën A takohen: Turqia – Hungaria, Ukraina – Belgjika, Austria – Serbia, Greqia – Skocia.