Ismet Munishi i është kthyer zejes së trajnerit. Të martën Munishi u zyrtarizua si trajner i Dukagjinit të Klinës.
Ditë më parë Dukagjini e trajneri Armend Dallku i ndanë rrugët pas bashkëpunimit të gjatë e të suksesshëm. Dhe tani Munishi do ta drejtojë skuadrën nga Klina.
“Ismet Munishi theksoi se është i gatshëm të udhëheqë ekipin dhe premton punë dhe përkushtim maksimal. Gjithashtu kërkoi mbështetjen nga i gjithë qyteti i Klinës”, shkruan në njoftimin e klubit Dukagjini.
Munishi është prej trajnerëve më të njohur në futbollin kosovar.
Pas karrierës së suksesshme si futbollist, 49-vjeçari ka drejtuar Vushtrrinë, Dritën, Vëllaznimin, Feronikelin, Ballkanin, Gjilanin, Prishtinën e Ferizaj. Te Ferizaj ishte në pjesën e parë të edicionit të kaluar, por u largua në mungesë rezultatesh në Ligën e Parë. Së fundi ishte i angazhuar si analist televiziv.
Munishi ka thënë se Dukagjini i ka kushtet e mira dhe është skuadër me lojtarë të mirë. Po ashtu, ka raporte të mira me drejtuesit e klubit.
Edicionin 2023/2024 të Superligës së Kosovës, Dukagjini e përfundoi në pozitën e shtatë. Pra, nuk do të luajë në gara evropiane.
Dukagjini vjet debutoi në Ligën e Konferencës. U ndal në raundin e dytë kualifikues nga Rijeka e Kroacisë. Në raundin e parë e kishte eliminuar Europan e Gjibraltarit.