Futboll

Islandën do ta gëzonte edhe barazimi në Prishtinë

islanda

Shumë gjëra kanë ndryshuar tek Islanda nga ndeshjet e para kundër Kosovës, tetë vjet më parë. Islanda ka ndërruar përzgjedhësin, kapitenin, ndërsa i janë bashkuar edhe disa lojtarë të rinj. 

Por tek Islanda nuk kanë ndërruar synimet. Te përfaqësuesja islandeze e futbollit synojnë tjera fitore ndaj Kosovës. Të parën presin ta arrijnë të enjten në Prishtinë kur zhvillohet ndeshja e parë e plejofit për Ligën B të Ligës së Kombeve. Fitoren e dytë synojnë ta arrijnë të dielën në Murica të Spanjës dhe kështu të mbesin në Ligën B për edicionin e ardhshëm.

Islanda e kishte mposhtur në vitin 2017 dy herë Kosovën në kualifikimet e Kupës së Botës “Rusia 2018”. 

Përzgjedhësi i Islandës, Arnar Gunnlaugsson, të mërkurën në konferencën për media në Prishtinë, ka vlerësuar Kosovën. Por ai pret të debutojë me fitore tek Islanda. Ai mori drejtimin e Islandës në fillim të këtij viti.

“E kam marrë drejtimin e ekipit në janar dhe kjo është ndeshja ime e parë. Jam shumë krenar dhe i emocionuar për ndeshjen ndaj Kosovës. Ne presim ndeshje të vështirë ndaj Kosovës, e cila ka lojtarë që luajnë në ekipe të mira në Evropë. Nuk mund të isha më i emocionuar se kaq”, ka thënë Gunnlaugsson.

Islanda garoi në Ligën B të Ligës së Kombeve në edicionin e kaluar. Mbeti e treta në grup me Uellsin, Turqinë dhe Malin e Zi. Kosova ishte e dyta në grup në Ligën C. Tani përfaqësuesja më e mirë pas dy ndeshjeve luan në B në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.

“Është shumë me rëndësi të luajmë mirë jashtë shtëpisë. Të luash ndeshje jashtë shtëpisë është më ndryshe. Ne presim ndeshje të vështirë. Kosova ka mbështetjen e tifozëve dhe luan në një stadium të madh. Ndeshja e parë në Prishtinë nuk do të vendosë asgjë, por ne duhet të marrim rezultat të mirë. Fitorja do të më bënte të lumtur, barazimi do të ishte i mirë, por mbi të gjitha dua të shoh paraqitje të mirë”, është shprehur trajneri Gunnlaugsson.

Për ndeshjen ndaj Kosovës, Gunnlaugsson nuk do të llogarisë në disa lojtarë të lënduar. Por ai pret që lojtarët tjerë të shfrytëzojnë mundësinë që do ta kenë të enjten.

Në konferencë për media bashkë me Gunnlaugssonin ishte kapiteni i ri i Islandës, Orri Steinn Oskarsson. Ai po ashtu mendon se Kosova ka skuadër për t’u vlerësuar. Thuri lavde për mbrojtjen e po ashtu edhe sulmin e “Dardanëve”.

“Ne e dimë se Kosova ka disa lojtarë të mirë dhe i dimë kualitetet e tyre. I kemi analizuar dhe e dimë se do të jenë dy ndeshje shumë të vështira. Kosova ka disa mbrojtës të mirë dhe lojtarë që dalin para shumë shpejt. Mendoj se do të varet nga ne që të jemi në gjendje t'i ndalim rreziqet që vijnë nga ta në këto dy ndeshje”, ka thënë kapiteni Oskarsson.

Islanda ka marrë pjesë dy herë në ngjarje të mëdha të futbollit. Një herë në Botëror dhe një herë në Evropian. Synon të tjera paraqitje në Botëror apo Evropian. Por fillimisht synon mbetjen në Ligën B.