Futboll

Ishte mposhtur nga Ballkani, por Dinamo vazhdon dominimin në Kroaci falë edhe shqiptarëve

Dinamo - Futboll

Më 5 tetor të vitit të kaluar, Dinamo Zagrebi po paraqitej në “Fadil Vokrri” si favorite e madhe ndaj Ballkanit. Por u befasua. Kampioni i Kosovës fitoi 2:0 ndaj kampiones kroate, në kuadër të fazës grupore të Ligës së Konferencës. Dinamo e trajneri Sergej Jakiroviq i mbijetuan asaj humbjeje dhe shumë goditjeve të tjera gjatë edicionit 2023/2024. Dhe të shtunën festuan titullin e kampionit të Kroacisë, duke konfirmuar kështu dominimin e plotë në futbollin kroat.

Ishte prej edicioneve më të vështira të Dinamos në dekadën e fundit. Por që po përfundon shumë mirë. Rijeka e Hajduku e kanë sfiduar gjatë, por jo mjaftueshëm.

Dinamo e ka fituar titullin e 25-të të Kroacisë dhe të shtatin rresht. Është bindshëm skuadra më e suksesshme në Kroaci. Tani e kërkon edhe Kupën e Kroacisë. Në finalen me dy ndeshje përballet me Rijekën, fillimisht në Zagreb më 15 maj e më pas në Rijekë më 22 maj.

Dinamo e siguroi titullin me fitoren 1:0 ndaj Osijekut, të shtunën. Golin e fitores e shënoi kapiteni i parë, mesfushori Arijan Ademi.

Ademi njëjtë si Dinamo, nuk ka pasur edicionin më të lehtë. Por po e përfundon me sukses të madh. Hapin e madh drejt titullit, Dinamo e bëri më 5 maj, kur fitoi 2:1 në udhëtim ndaj Rijekës. Atë fitore e siguroi me golin e Arbër Hoxhës në minutën e 89-të.

Pra Ademi e Hoxha ishin vendimtarë për Dinamon, të paktën në dy ndeshjet e fundit.

“Sa i takon kampionatit, momenti më i vështirë ishte humbja në Goricë dhe ajo ndaj Lokomotivës. Ishte si të goditem me çekan, asgjë nuk e kisha të qartë. Në Evropë numërohen vetëm dështimet, askush nuk e përmend që kemi arritur synimet dhe kemi kaluar grupin. Pas Ballkanit kam dashur të largohem, por kam vërejtur që ekipi më përkrah dhe vendosa që mos të largohem. Në fund prej tri synimeve, dy i kemi realizuar. Na mbetet edhe Kupa”, ka thënë trajneri Jakiroviq, duke konfirmuar se humbja nga Ballkani në Prishtinë ishte goditje e madhe.

Ish-reprezentuesi i Maqedonisë së Veriut, Arijan Ademi, ka folur për një kampionat shumë të vështirë.

“Edicion i vështirë, humbje shumë të rënda. E kaluam këtë dhe për mua është titulli më i ëmbël dhe më i vështirë në karrierë. Konkurrentët na ishin shkëputur, kishim dy ndeshje më pak dhe në fund fituam me meritë”, ka thënë Ademi.

Ai ka thënë se pa përkrahjen e tifozëve do të ishte shumë vështirë. Pret që tifozët të jenë të shumë në ndeshjet për Kupë.

Në aspektin personal, Ademi ka thënë se nuk është i kënaqur me edicionin që kishte.

“Sinqerisht, nuk jam i kënaqur, por jap maksimumin në secilën ndeshje. Nuk jam i lumtur që kam humbur shumë shanse të mira”, ka thënë Ademi. 32-vjeçari ka paralajmëruar se do të vazhdoj të luajë për Dinamon, duke theksuar se ka ende çka t’i japë skuadrës.

Ademi, i lindur në Shibenik, te Dinamo është prej vitit 2010. Për pak kohë ishte i huazuar te Lokomotiva e Zagrebit, ndërsa në pranverën e kaluar u largua nga Dinamo për te skuadra kineze Beijing Guoan. Por më 8 shtator u kthye te Dinamo, ku është legjendë.

Për Dinamon është titulli i 18-të në 19 vjetët e fundit. Kjo dëshmon dominimin e plotë të skuadrës së Ademit e Hoxhës.

Dinamo e ka cilësuar Ademin si “mjeshtër, udhëheqës, kapiten”. Ademi i ka 23 trofe me Dinamon, si asnjë futbollist tjetër. Në çdo edicion te Dinamo, Ademi e ka fituar titullin e kampionit.

Dinamo tani i ka 35 tituj të kampionit gjithsej, duke llogaritur edhe ata në Ish-Jugosllavi.

Arbër Hoxha vetëm në janar të këtij viti iu bashkua Dinamos. Por menjëherë ka fituar titull të kampionit dhe është në finale të Kupës. Ndonëse nuk ka luajtur shumë, Hoxha kishte ndikimin e tij, sidomos në atë ndeshje me Rijekën. Ai bëhet futbollisti i radhës nga Kosova që ka fituar titull të kampionit me Dinamon.

Një prej emrave më të mëdhenj të Dinamos e po ashtu prej më të çmuarve nga tifozët, Kujtim Shala, ishte në stadium në ndeshjen vendimtare të së shtunës. Shala ishte i ftuar nga Dinamo.