Një ekip elitar i Rumanisë është duke u hetuar pas raporteve se ka aktivizuar pa të drejtë një lojtar. Në fakt, në vend të një futbollisti ka luajtur vëllai i tij binjak.
Sipas raporteve nga “Marca”, Edgar Ie, 30-vjeçar, dyshohet se ka shtyrë vëllanë e tij të luajë pesë ndeshje për skuadrën rumune, duke pretenduar se është ai.
Dyshimet filluan të shfaqen kur Edgar Ie nuk fliste anglisht, por vetëm gjuhën portugeze, ndonëse ka luajtur në Holandë, Spanjë e Francë.
Nëse vërtetohen dyshimet, atëherë Dinamo Bukureshti mund të dënohet me heqjen e tetë pikëve. Ish-presidenti i Dinamos, Florin Prunea, ka thënë: “Duket e pabesueshme”.
Ai ka vazhduar i shokuar: “Hamendësoja nëse ai ishte ende duke fjetur dhe fillova të bëja telefonata, të flisja me miqtë. Lajmi është i vërtetë, nuk mund ta besoj. Askush nuk e mohoi. Kuptova që ai ka një vëlla binjak që gjithashtu luan futboll”.
Sipas gazetarit rumun, Emanuel Rosu, klubi ka kërkuar nga lojtari që ta paraqesë patentë shoferin për të vërtetuar identitetin.
Ai, megjithatë, refuzoi, duke bërë që dyshimet vetëm të rriten. Edgar Ie e filloi karrierën e tij profesionale me Barcelonën pasi u zhvillua te të rinjtë e Sportingut portugez. Ai bëri vetëm një paraqitje me gjigantin nga Katalonja. Shumicën e kohës në klub e kaloi në Barcelona B. Në vitin 2015 mbrojtësi u largua nga klubi, duke luajtur për shtatë skuadra prej atëherë. Ishte te Lille, Trabzonspor e Feyenoord para se të kalonte në Rumani.
Te Dinamo është prej shkurtit, por ka dyshime që në disa ndeshje është zëvendësuar nga vëllai binjak. Nuk ka komunikata zyrtare deri më tani. Dinamo nuk është deklaruar për atë që ka bërë reprezentuesi i Guinea-Bissaut. Ie në fakt i ka të evidentuara vetëm pesë paraqitje për skuadrën rumune, të fundit më 1 prill.
Ie ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Portugalisë, ndërsa vjet iu bashkua përfaqësueses së vendit prej nga e ka prejardhjen.
Vëllai i tij binjak, Edelino Ie, ka luajtur në mesfushë. Ka bërë karrierë në nivel më të ulët.
LEXO EDHE: