Futboll

Ish-kampioni i botës, Mustafi, i jep fund karrierës, angazhohet te Gjermania

Shkodran Mustafi

Shkodran Mustafi i ka dhënë fund karrierës së pasur si futbollist. Mustafi, 32-vjeçar, ndër të tjera ishte kampion i botës me Gjermaninë në vitin 2014. Ai do të mbetet në futboll, ndërsa do të angazhohet te Gjermania U17 si ndihmëstrajner, ka njoftuar Federata e Futbollit të Gjermanisë.

Mbrojtësi Mustafi i ka luajtur 20 ndeshje për Gjermaninë, ndërsa i ka realizuar dy gola. Pjesë e Gjermanisë ishte nga viti 2014 e deri në vitin 2017.  Kishte dhënë kontribut në kampanjën e Gjermanisë që kishte përfunduar me titull të botës në vitin 2014. 

Në nivel klubesh, po ashtu kishte karrierë të suksesshme. Ishte tek Evertoni, ndërsa shpërthimin si senior e bëri te Sampdoria në Itali. Më pas luajti për Valencian, Arsenalin, Schalken e në fund për Levanten. Kulmin e arriti te Valencia e Arsenali, ndërsa rënia në karrierën e tij nisi relativisht herët. Ka kohë që është pa skuadër, ndërsa tani ka vendosur të nis karrierën si trajner.

“Kam menduar për një kohë që të bëj karrierë si trajner. Në njërën anë është mëkat që largohem kaq herët pasi kam dashur të luaj më gjatë. Në anën tjetër shikoj me optimizëm drejt asaj që vjen. Jam i lumtur që do të bëj hapat e parë si trajner në kuadër të federatës gjermane. Dua ta përcjell gjithë përvojën time te djelmoshat”, ka thënë Mustafi.

Ai ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Gjermanisë. Është produkt i sistemit gjerman të futbollit dhe tani do të kontribuojë për të. Ka fituar trofe edhe me të rinjtë e Gjermanisë.

“Shkodrani ka provuar çdo gjë. Ai është kampion botëror dhe ka luajtur nën urdhrat e trajnerëve të mëdhenj në top-ligat evropiane. Kur kemi dëgjuar se ai po i jep fund karrierës, ishte e qartë për ne se e duam në ekipin e DFB-së”, ka thënë Kai Krueger përgjegjës i përfaqësueseve të reja në federatën gjermane.

Sipas Kruegerit, me angazhimin e Mustafit federata gjermane i përmbahet filozofisë për të zhvilluar jo vetëm lojtarët, por edhe trajnerët.

“Në diskutimet tona kemi ndier pasionin e Shkodranit për të bartur përvojën e tij që nga fillimi. Ai e jeton futbollin dhe tani këtë do ta bëj në ekipin tonë”, ka thënë Krueger.

Mustafi është i vetmi shqiptar me titull të botës.