Ish-futbollisti Olgerd Muka, është arrestuar në Dijon të Francës, ka shkruar të mërkurën “Panorama”.
Sipas mediumit të Shqipërisë, Muka ka dhënë dëshminë e tij para gjykatës, pas arrestimit nga policia franceze, nën akuzën e tregtimit të lëndëve narkotike, saktësisht të kokainës.
“Panorama” duke iu referuar informacioneve nga Franca, shkruan se Muka në dëshminë e tij ka justifikuar këtë “punësim të përkohshëm” me vështirësitë financiare që po kalonte ai dhe familja e tij.
46-vjeçari, ka luajtur dy ndeshje miqësore për Shqipërinë. Po ashtu ka luajtur për Lushnjën, Teutën, Dinamon, Bylisin, Flamurtarin, Partizanin e Besën.
Me Dinamon kishte fituar Kupën, ndërsa me Partizanin Superkupën.
“Rreth 18 muaj më parë, unë kalova një sëmundje dhe më shkarkuan nga puna”, ishte dëshmia e tij në gjykatë.