Futboll

Iraola vazhdon kontratën me Bournemouthin

Andoni Iraola

Skuadra e Bournemouthit të hënën ka njoftuar se trajneri Andoni Iraola ka vazhduar kontratën deri në vitin 2026. 

Spanjolli, Iraola është shprehur i lumtur me rinovimin e kontratës.

“Jam shumë i lumtur që nënshkruaj kontratën. Për mua është një çështje e rinovimit të besimit nga të dyja palët. Po luajmë në një kompeticion të vështirë, me kundërshtarë shumë të mirë. Sezoni filloi ngadalë, por mendoj se jemi përmirësuar shumë dhe po luajmë në mënyrën e duhur. Duhet të vazhdojmë të përmirësojmë skuadrën, sepse niveli i Premier League është vërtet i lartë. Unë do të doja të falënderoja tifozët për gjithçka në vitin tonë të parë së bashku. Jam mirënjohës që ata na mbështetën edhe në fillim kur nuk fitonim ndeshje dhe që ata kanë qenë shumë të dobishëm për lojtarët gjatë gjithë vitit”, deklaroi Iraola.

41-vjeçari është pjesë e Bournemouthit nga viti 2023. Trajneri spanjoll e ka drejtuar deri tash Bournmothin në 43 ndeshje. Ka fituar 17 ndeshje, ndërsa ka barazuar nëntë herë. Bournemouthi nën drejtimin e Iraolas i ka edhe 17 humbje. Bournemouth në Premier League renditet në vendin e 11-të me 48 pikë të fituara.