Futboll

Iordanescu jep dorëheqje

Edward Iordanescu

Foto: Associated Press

Trajneri Edward Iordanescu ka vendosur të largohet nga pozita e selektorit të përfaqësueses së Rumanisë. 

Lajmi është bërë i ditur të hënën nga Federata e Futbollit të Rumanisë. 

Iordanesu në deklaratën e dhënë për faqen zyrtare të federatës rumune është shprehur i lumtur që kishte rastin ta drejtonte përfaqësuesen e shtetit të tij. 

“Nderi më i madh për mua ishte dhe do të mbetet fakti që arrita të drejtoj kombëtaren e vendit tim, të përfaqësoj Rumaninë dhe rumunët. Kam trajnuar ndoshta brezin më të dashur të kombëtares, që e ka fituar këtë dashuri me punë dhe përkushtim. Dhe fjalët, të dashur mbështetës rumunë, janë shumë të pakta për të shprehur mirënjohjen time për dashurinë tuaj”, deklaroi Iordanescu. 

46-vjeçari e mori drejtimin e Rumanisë në vitin 2022. 

Ai ishte në krye të përfaqësueses në 28 ndeshje dhe ka arritur dhjetë fitore, dhjetë barazime dhe tetë humbje. 

Iordanescu e udhëhoqi Rumaninë deri në një të tetën e finales në “Euro 2024”.