Interi do të përpiqet ta mbajë topin sa më shumë në ndeshjen kundër Arsenalit të uritur për fitore pas serisë prej tri ndeshjeve pa fitore në Premier League, tha trajneri i klubit të Serie A, Simone Inzaghi, para ndeshjes në Ligën e Kampionëve. Ndeshja kryesore në mes të Interit dhe Arsenalit luhet të mërkurën dhe i takon xhiros së katërt të Ligës së Kampionëve. Ndeshja nis nga ora 21:00.
Arsenali nuk ka fituar në Premier League që nga fitorja 3:1 në shtëpi ndaj Southamptonit më 5 tetor, e cila u pasua me humbjet jashtë nga Bornemouthi dhe Newcastle si dhe barazimi 2:2 kundër Liverpoolit.
“Ne të gjithë e dimë se si reagojnë skuadrat e mëdha pas një disfate, na shikoni pas derbit”, tha Inzaghi në konferencën për media të martën.
“Unë e shikova ndeshjen midis Arsenalit dhe Newcastlet. Të luash në shtëpinë e Newcastlet nuk është e lehtë, por ishte një ndeshje e hapur dhe magjepsëse. Ne do të gjejmë një ekip që humbi para pak ditësh. Ata do të duan të luajnë një lojë të mirë në San Siro”.
Interi humbi 2:1 nga Milani në fund të shtatorit. Më pas fitoi shtatë ndeshje dhe barazoi një herë në të gjitha garat pas humbjes së tyre të vetme deri më tani në edicionin aktual.
Pavarësisht rezultateve të fundit, skuadra e Mikel Artetës është e pamposhtur në garën elitare të Evropës për klube. Të dyja skuadrat kanë nga shtatë pikë.
“Ne përballemi me një nga ekipet më të mira në Evropë, me një trajner të madh. Ata garuan me Manchester Cityn pikë për pikë deri në fund për titull në dy edicionet e fundit. Ne do të duhet të përpiqemi ta mbajmë topin sa më shumë që të jetë e mundur. E dimë që kemi përballë një skuadër që ushtron shumë presion sulmues. E dimë që do të jetë problem për ne kur ata të kenë topin”, ka theksuar Inzaghi.
Do të jetë hera e parë që Arsenali përballet me Interin që nga fitorja 5:1 në San Siro gjatë fazës grupore të edicionit 2003/2004.
Arsenali synon tjetër fitore ndaj Interit në San Siro.
“Ne po vijmë në Milano për të provuar të fitojmë. Ata luajtën një finale të Ligës së Kampionëve dy vjet më parë. Këto janë ndeshjet që dëshironi të luani. Mendoj se Interi ka një identitet të fortë dhe merita për këtë i takon trajnerit të tyre. Ai di të pozicionojë lojtarët në mënyra të paparashikueshme. Është një ndeshje me të cilën përballemi edhe në Premier League dhe do të shohim se si do ta trajtojmë atë”, ka thënë trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta.
Ai vlerësoi trajnerin e Interit, Simone Inzaghi.
“Nuk e di, çdo trajner ka idetë e veta. Ne duhet të tregojmë nesër mbrëma se jemi të aftë t’i mposhtim ata”, ka theksuar Arteta.
Ndeshje interesante të mërkurën pritet të jetë edhe ajo në mes të PSG-së dhe Atletico Madridit. Trajneri i Atleticos, Diego Simeone, foli fjalë të mëdha për PSG-në dhe trajnerin e tyre Luis Enrique.
Atletico ka fituar nëntë nga 16 ndeshjet kundër francezëve në garat evropiane.
“Më pëlqen mënyra se si luan PSG-ja. Ata kanë një lojë shumë të mirë, dinamike. Ata kanë lojtarë të rinj, dinamikë, të cilët ne nuk e dimë se ku do të shkojnë. Ata kanë shumë lojtarë që lëvizin në pozicione të ndryshme në sulm dhe mesfushë. Luajnë atë lloj futbolli që Luis ka luajtur gjithmonë”, ka thënë Simeone në konferencë për media.
Atletico përballet me ekipin nga Parisi pas dy humbjeve kundër Lillet 3:1 dhe Benficas 4:0. Ndeshjen e parë e fituan 2:1 në shtëpi ndaj Red Bull Salzburgut.
PSG-ja e nisi kampanjën me fitore 1:0 në shtëpi ndaj Gironas para se të pësonte disfatë 2:0 ndaj Arsenalit dhe barazimit 1:1 në shtëpi ndaj PSV Eindhovenit.
“Është ende herët, sapo ka filluar, sezoni është i gjatë dhe numërimi bëhet në fund”, është shprehur Simeone.
Fjalë të mëdha për Simenonen ka folur edhe Luis Enrique.
“Ne kemi luajtur kundër njëri-tjetrit si lojtarë dhe më pas edhe si trajnerë. Unë e admiroj Simeonen. Kur një trajner qëndron për kaq shumë vjet në një klub të madh, do të thotë se ai është i mrekullueshëm, sepse kjo është një gjë shumë e vështirë për t’u bërë”, ka thënë Enrique.
Argjentinasi Simeone mori drejtimin e Atleticos 13 vjet më parë, ndërsa ka fituar dy tituj të Spanjës dhe dy trofe të Ligës së Evropës.
Të mërkurën dy ndeshjet e para janë nga ora 18:45. Do të përballen Club Brugge – Aston Villa dhe Shakhtar Donetsk – Young Boys.
Ndeshjet e tjera nga ora 21:00 janë: Bayern Munchen – Benfica, Cërvena Zvezda – Barcelona, Feyenoord – Salzburg, Sparta Praga – Brest dhe Stuttgart – Atalanta.