Futboll

Inter – Roma, kryendeshja në Serie A

inter

Gara për titullin e kampionit në Itali vazhdon të jetë shumë e ashpër.

Deri në fund të edicionit kanë mbetur edhe pesë xhiro.

Lider është Interi me 71 pikë, sa i ka edhe Napoli në vendin e dytë.

Interi është kampion në fuqi i Serie A.

Futbollistët e Interit do të kenë punë shumë të vështirë këtë fundjavë.

Interi të dielën nga ora 15:00 e pret Romën. Kjo do të jetë kryendeshja e xhiros së 34-t të elitës italiane. Të gjitha ndeshjet që ishin të planifikuara të zhvilloheshin të shtunën në Serie A janë shtyrë për një ditë pas vdekjes së Papa Françeskut.

Interi nuk është në momentin më të mirë. Ka dy disfata rresht. Të mërkurën u eliminua në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. U mposht 3:0 nga Milani. Fundjavën e kaluar humbi 1:0 nga Bologna në kuadër të kampionatit.  

Skuadra e Simone Inzaghit i ka fituar 14 nga 15 ndeshjet e fundit kundër Romës në kampionatin italian. Fitorja e fundit kampionale e Romës ndaj Interit ishte më 1 tetor të vitit 2022.

Në total skuadrat janë përballur 217 herë. Interi ka 98 fitore, Roma ka 62 dhe 57 ndeshje përfunduan baras.

Roma është duke kaluar formë shumë të mirë. Skuadra që po drejtohet nga legjenda Claudio Ranieri është e pamposhtur në 17 ndeshjet e fundit në ligë. Ka 57 pikë në vendin e shtatë. Po lufton që të sigurojë një vend që dërgon në kupat evropiane.

Interi në vazhdim do të ketë orar shumë të ngjeshur. Të mërkurën e ardhshme luan në udhëtim te Barcelona, në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja e kthimit luhet më 6 maj.

Të dielën luan edhe Napoli. Napolitanët nga ora 20:45 e presin Torinon.

Skuadra ku aktivizohet kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, shpreson në gabim të Interit në mënyrë që me fitore të bëhet lidere.

Torino e zë vendin e dhjetë me 43 pikë.