Futboll

Idrizi largohet pas katër vjetësh nga Schalke

Blendi Idrizi

Futbollisti i Kosovës, Blendi Idrizi, largohet nga Schalke pas katër vjetësh të kaluar. Ai nuk e ka vazhduar kontratën me skuadrën gjermane, së cilës iu bashkua në janar të vitit 2020.

“Nuk e kam kuptuar ende se po them lamtumirë. Kam kaluar një kohë shumë të mirë te Schalke, të cilën nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Në fillim për një vit e gjysmë në ekipin U23 e pastaj dy vjet me ekipin e parë, ishin të jashtëzakonshme. Mbi të gjitha, nuk do ta harroj kurrë paraqitjen për dy vjet në ekipin e parë”, ka thënë Idrizi për “Westdeutsche Allgemeine Zeitung” të mërkurën.

Idrizi ka luajtur 43 ndeshje për ekipin e parë të Schalkes, ndërsa ka shënuar tre gola dhe ka asistuar gjashtë herë. Idrizi ftohet rregullisht te Kosova, pjesë e së cilës është prej vitit 2021. Për “Dardanët”, 26-vjeçari ka luajtur gjashtë ndeshje.