Futboll

Humbje të rënda për Dritën e Gjilanit

Drita - Prishtina

E mërkura ishte prej ditëve më të këqija për Dritën e Gjilanit. Jo vetëm për shkak të humbjes nga Prishtina në ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll.

Drita u eliminua, por kjo ishte goditje e vogël për klubin me nam nga Gjilani, në krahasim me ato që pasuan. Kishte tensione të menjëhershme në fushën e lojës, që nuk përfunduan aty.

Pak orë pas ndeshjes, drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi, i shoqëruar nga Ilaz Shkodra e Fatos Ramadani, kanë sulmuar në lokalin e tij udhëheqësin e tifo-grupit “Intelektualët”, Taulant Byqmeti si dhe dy persona të tjerë, njëra prej të cilave grua. Videot e shfaqura nga incidenti tregojnë dhunë jo të vogël nga Zymberi dhe të tjerët.

“Pas humbjes së ndeshjes nga KF Prishtina, tifozët e Dritës, në mënyrë kolektive në kor, të cilët i ka udhëhequr i dëmtuari, kryetari Taulant Byqmeti, kanë shfaqur pakënaqësi duke i fyer të pandehurit me fyerje personale dhe familjare. Me këtë rast të pandehurit, të provokuar dhe të revoltuar nga fyerjet, shkojnë në kafiterinë e të dëmtuarit, Taulant Byqmeti, dhe i sulmojnë të dëmtuarit me grushte dhe shkelma në pjesë të ndryshme të trupit. Të dëmtuarit, si pasojë e lëndimeve kanë kërkuar ndihmën mjekësore”, thuhet në një kërkesë të Prokurorisë Themelore në Gjilan për Gjykatën Themelore në Gjilan. Kërkesa u bë dhe u miratua të premten, që  Zymberi, Shkodra e Ramadani “të mos i afrohen vendit apo personit të caktuar dhe të paraqiten në stacion policor”.

Zymberi dhe dy të tjerët dyshohen për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”. Ata ishin të ndaluar për 48 orë dhe të premten janë liruar. Iu caktua masë tjetër, dukshëm më e lehtë.

Por tensioni nuk ka rënë. Ka kohë që drejtues të Dritës, përkatësisht drejtori sportiv Valon Zymberi, ka raporte të tensionuara me tifozët. Tifozët kanë kërkuar shkarkimin e tij, por kërkesa nuk u miratua nga klubi. Dhe pas zhvillimeve në stadium, Zymberi dhe dy të tjerët kanë sulmuar udhëheqësin e tifozëve, që rrallë ndodhë. Për më tepër në lokalin e tij. Kjo është dëshmi që zhvillimet kanë tejkaluar futbollin dhe kanë kaluar thuajse në rrafshin personal e familjar. Të përfshirë janë palë të shumta.

Drita edhe të premten i doli në përkrahje Zymberit. Në postimin e publikuar nuk lejoi komentet, ndërsa ata që e kundërshtuan postimin ishin më shumë se ata që e pëlqyen.

Drita ka dënuar dhunën, por ka thënë se “ka histori të gjatë tensionesh dhe urrejtjeje mes individëve të përfshirë”.

“Në veçanti, tensionet midis drejtorit sportiv të FC Dritës z. Valon Zymberi dhe të tifozëve ‘Intelektualët’ kanë qenë të dukshme për një kohë të gjatë. Kjo si rezultat i personave nën hije që manipulojnë me tifozët për interesat personale. Drejtori ynë sportiv, z. Valon Zymberi, ka qenë objekt i një presioni të madh dhe urrejtjes së përsëritur nga disa individë, gjë që ka shkaktuar një klimë të ndjeshme tensioni. Ka vite që disa individë me interesa personale kanë ushtruar presion dhe kanë përdorur tifozët për të krijuar urrejtje dhe tensione ndaj kryesisë së klubit, veçanërisht drejtorit sportiv, z. Valon Zymberi. Në vend që të kontribuojnë në zhvillimin e klubit dhe në avancimin e sportit lokal, këta individë kanë zgjedhur të manipulojnë dhe të përhapin fjalë urrejtjeje, duke sjellë një klimë të papranueshme për të gjithë pjesëmarrësit në sport”, shkruan në komunikatën e Dritës.

Por Drita e ka konfirmuar Zymberin në postin e drejtorit sportiv, ndërsa veprimet e tij i ka arsyetuar në një mënyrë.

Me postim të enjten doli edhe Taulant Byqmeti. Ai thotë se sulmi u realizua nga pesë persona. Ka akuzuar edhe një polic të njësisë speciale për përfshirje.

“Intelektualët” kanë shpërndarë postimin e Byqmetit, por nuk kanë publikuar ndonjë qëndrim pas zhvillimeve të fundit.

FFK-ja ndërkohë doli me reagim ku dënoi kërcënimet dhe dhunën, pa përmendur raste specifike. Janë të shumta rastet e kërcënimeve e dhunës së fundi.

Por që tensionet mes drejtuesve dhe tifozëve të shkojnë në këtë nivel, ndodhë me gjasë për herë të parë.

Drita ende vazhdon garën për titull. Por fokusi tashmë është diku tjetër. Te zhvillimet jashtë fushës. Humbja me Prishtinën ishte e rëndë për Dritën. Zhvillimet që pasuan ishin humbje dukshëm më e rëndë për klubin që synon të jetë model.