Pa nisur afati kalimtar i janarit, trajneri i Dinamo Zagrebit, Sergej Jakiroviq, deklaronte shpesh se i duhen lojtarë të fortë fizikisht e të shpejtë, që mund t’i bashkoheshin shpejt sulmit. Një prej synimeve kryesore të Jakiroviqit prej se ai mori drejtimin e Dinamos ishte Arbër Hoxha.
Hoxha u transferua në janar nga Slaven Belupo dhe menjëherë u bë lojtar i rëndësishëm i ekipit startues të Dinamos.
“Por tani është ‘viktimë’ e vendimit të Jakiroviqit, që mund t’ia shpëtojë Dinamos stinorin”, ka shkruar sajti i njohur kroat “index.hr”.
Ky medium ka bërë një analizë se si Hoxha fillimisht pëlqehej dhe u transferua nga Jakiroviqi dhe tani është harruar prej tij. Jakiroviq në afatin e janarit e kishte edhe postin e drejtorit sportiv te gjiganti kroat.
“Për 25-vjeçarin Dinamo i pagoi Slaven Belupos dëmshpërblim prej 1 milion eurosh dhe ofroi 15 për qind nga transferimi i ardhshëm. Hoxha në pjesën e parë të edicionit për Slavenin shënoi pesë gola dhe kishte një asistim. Ishte, po ashtu, njëri prej dribluesve më të mirë në ligë. Por skepticizmi i tifozëve të Dinamos ishte shumë i kuptueshëm. Hoxha u transferua nga një klub ku presioni i rezultatit është dukshëm më i vogël dhe i cili, për dallim nga Dinamo, ka luksin që të sulmojë në mbrojtjen e pavendosur. Nuk ishte transferim i bujshëm dhe kishte pyetje se si do të përshtatej”, shkruan “index.hr”.
Pas transferimit te Dinamo, Hoxha ishte prej lojtarëve më të mirë të krahut në ligën kroate. Një pjesë të tifozëve e bëri për vete me angazhimin. Në tetë prej dhjetë paraqitjeve të para në kampionatin kroat për Dinamon, Hoxha startoi.
Por i kanë munguar golat dhe asistimet. Kjo ndodhi edhe për shkak të telasheve të Dinamos në konkretizimin e sulmeve. Nuk kishte shumë lojtarë që do të hidheshin para pas krosimeve të kosovarit.
Ndeshjet më të mira me Dinamon, Hoxha i kishte në skenën evropiane. Ka bërë asistim vendimtar ndaj Betisit. Më pas shënoi gol të rëndësishëm ndaj PAOK-ut.
“Dukej që gjërat po funksiononin si duhet për sulmuesin. Por doli krejt ndryshe. Trajneri i Dinamos për fazën vendimtare të kampionatit vendosi për ndryshim të madh. Bruno Petkoviqit në sulm ia bashkoi Fran Brodiqin apo Sandro Kulenoviqin.Në vijën e fundit e shtoi edhe një lojtar dhe kaloi në formacionin 3-5-2”.
Çmimin për ndryshimin e sistemit, që solli rezultatet pozitive, më së shumti e paguan sulmuesit e krahut. Hoxha më së shumti, që sipas “index.hr” humbi rolin që e kishte në ekip.
Ish-futbollisti i Lokomotivës së Zagrebit nuk ka startuar në katër ndeshjet e fundit kampionale. Ndaj Istrës nuk luajti fare. Ndaj Goricës i kishte 26 minuta, ndërsa me Lokomotivën edhe më pak. Ndaj Hajdukut trajneri i Dinamos vendosi për dy sulmues dhe prej asaj ndeshje, Hoxha ka hapësirë shumë të limituar.
“Mbetet të shihet cili do të jetë fati i tij. Tani për tani duket që Jakiroviqi si drejtor sportiv e dëshironte me çdo kusht Hoxhës. Tani si trajner, Jakiroviq nuk e sheh në formacionin e ri”.
Muajin e kaluar Hoxha debutoi te Shqipëria. Fitoi rastin në miqësoret me Kilin dhe Suedinë. Por nëse vazhdon të mbetet në stol te Dinamo, vendi i tij në Kombëtaren e Shqipërisë për “Euro 2024” mund të rrezikohet.