Drilon Hazrollaj ka bërë hap të madh në karrierë. Nga Malisheva, lojtari ofanziv është transferuar te skuadra e madhe rumune, Rapid Bukureshti.
Ka kohë që pritej një transferim i Hazrollajt në ndonjë skuadër të ligave evropiane. Dhe të shtunën mbrëma Rapidi ka zyrtarizuar transferimin e tij. Hazrollaj ka firmosur kontratë të vlefshme deri në fund të edicionit 2027/2028. Kontrata është e vlefshme pas fundit të këtij edicioni.
“Jam shumë i lumtur që i bashkohem Rapidit, një klubi me histori impresive dhe me tifozë të jashtëzakonshëm. Do të jap çdo gjë për ekipin. Mezi pres të luajë për këta tifozë fantastikë. Shpresoj t’iu jap tifozëve shumë momente gëzimi”, ka thënë Hazrollaj për Rapid TV.
I lindur në vitin 2004, Hazrollaj luan kryesisht si mesfushor ofanziv. Vlera e tij raportohet të jetë rreth 800 mijë euro.
“Driloni i ka nëntë gola e tri asistime për Malishevën këtë edicion. Në fakt kosovari ka shënuar për Malishevën në ndeshjen e djeshme ndaj Suharekës. Hazrollaj ka një ndeshje për Kosovën U21, ndaj Polonisë në vitin 2023”, shkruan në komunikatën e Rapid Bukureshtit.
Me Hazrollajn vazhdon tradita e transferimit të lojtarëve nga klubet kosovare në klubet rumune.
Te Rapidi më parë ishin edhe Albion Rrahmani, Ermal Krasniqi e Florent Hasani.
Derisa Rrahmani e Krasniqi u paraqitën me sukses, Hasani ka pasur telashe. Ai tani luan në kategorinë e dytë turke, ndërsa Rrahmani e Krasniqi janë transferuar në Çeki.
Rapidi është prej klubeve më të mëdha në Rumani. Është i njohur edhe për shitjen e lojtarëve për çmim dukshëm më të madh se që i blenë.
“Vitin tjetër duam të shkojmë edhe më lartë. Shpresoj të fitojmë trofe këtë vit. Është shifër e lartë e paguar, por jo aq sa flitet (900 mijë euro)”, ka thënë Victor Angelescu, aksionari i vogël te Rapidi i Bukureshtit.
Rapidi edhe më herët ka shprehur interesim për Hazrollajn, njëjtë si disa skuadra tjera rumune dhe nga vende të tjera.