Vendim të vështirë e ka quajtur Ahmet Haliti pensionimin nga futbolli aktiv.
Por ai këtë vendim e ka marrë të premten, pas më shumë se dy dekadave si futbollist i shumë skuadrave të Kosovës e Shqipërisë.
Mbrojtësi 35-vjeçar karrierë ka bërë te Hysi, Besa e Kavajës, Prishtina, Bylisi, Feronikeli, Llapi e Trepça ’89.
“Familjarë, miq dhe dashamirë të futbollit. Dua t’ju njoftoj se pas më shumë se dy dekadave, kam vendosur të largohem nga futbolli aktiv. Një vendim i vështirë, por i domosdoshëm në këto momente për mua. Dua ta falënderoj familjen, e sidomos prindërit e mi, për mbështetjen gjatë gjithë këtyre viteve. Një falënderim për të gjitha klubet, kryesitë, trajnerët, tifozët, shoqërinë dhe të gjithë bashkëlojtarët, të cilët ishin pjesë e rrugëtimit tim në këtë sport që kaq shumë e duam. Do të jem gjithmonë mirënjohës. Faleminderit Zot që ma mundësove ta jetoj ëndrrën time për kaq shumë vite”, ka shkruar Haliti në Facebook.