Futboll

Hakimi shkëlqen në fitoren e Parisit

Achraf Hakimi

Achraf Hakimi ka realizuar dy gola për ta udhëhequr PSG-në drejt fitores 3:2 ndaj Lyonit.

Derbi i xhiros së 23-të të kampionatit francez u zhvillua të dielën mbrëma në Lyon. Sfida u vendos në pjesën e dytë. Hakimi shënoi për 1:0 në minutën e 53-të, pas asistimit të Bradley Barcolas.

Në minutën e 59-të, Ousmane Dembele shënoi për 2:0 me asistim të Khvicha Kvaratskhelias.

Rayan Cherki ngushtoi rezultatin në 2:1 në minutën e 83-të. Por Hakimi shënoi tjetër gol për 3:1, në minutën e 85-të. Këtë herë asistues ishte Lee Kang-In.

Corentin Tolisso shënoi tjetër gol për Lyonin në minutën e 92-të, por vendasit nuk ia dolën të barazojnë. Parisi e shënoi fitoren e 18-të të edicionit. Ka edhe pesë barazime, ndërsa udhëheqë në tabelë me 59 pikë. Lyoni është i gjashti me 36 pikë.