Futboll

Hajdari në radarin e Torinos

Albian Hajdari

Skuadra italiane Torino ka shprehur interesim për t’i siguruar shërbimet e mbrojtësit Albian Hajdari . Gazeta zvicerane “Blick”, të hënën ka raportuar se drejtuesit e Torinos kanë kontaktuar me menaxherët e Hajdarit për një transferim të mundshëm te skuadra italiane.

Hajdari është pjesë e skuadrës zvicerane Lugano. Kontrata me skuadrën zvicerane i përfundon në vitin 2027. Luganos iu bashkua në vitin 2023. Hajdari me Luganon kishte paraqitje të mira në edicionin 2023/2024. Në 45 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat shënoi tre gola dhe bëri një asistim.

21-vjeçari nuk u përfshi në përfaqësuesen e Zvicrës për Evropianin “Gjermania 2024”, ndonëse ishte në listën e gjerë.

Me gjeneratën U21 të Zvicrës, Hajdari ka gjashtë ndeshje të zhvilluara. Ndërsa është paraqitur edhe për gjeneratat U19, U17, U16 dhe U15.