Mbrojtësi Albian Hajdari është paraqitur me kokë të fashuar të hënën në grumbullimin e përfaqësueses së Zvicrës. Hajdari për herë të parë është grumbulluar me Zvicrën A.
Ai ishte në listën e gjerë të Zvicrës për Euro 2024, por ishte larguar nga lista ende pa u grumbulluar.
21-vjeçari lëndoi kokën të dielën në humbjen 2:1 të Luganos nga Young Boysi. Ndonëse kishte një përplasje të rrezikshme kokë më kokë me një lojtar kundërshtar në minutat e parë të takimit, Hajdari luajti deri në fund për Luganon.
“Në pushim më është dashur të bëjë tri-katër qepje sepse plaga ishte e madhe”, ka thënë Hajdari.
Përkundër lëndimit, Hajdari të hënën është grumbulluar me Zvicrën. Në hotelin ku janë vendosur helvetikët është paraqitur me një fashë në ballë.
Zvicra ka mungesa të rëndësishme, sidomos në mbrojtje, dhe Hajdari mund ta ketë rastin për debutim. Zvicra të premten luan me Serbinë, ndërsa të hënën e ardhshme me Spanjën.
Te Zvicra janë edhe Granit Xhaka, Andi Zeqiri e Ardon Jashari.