Futboll

Gunnlaugsson: Rezultati 2:1 nuk është fundi i botës

Arnar Gunnlaugsson

Te Përfaqësuesja e Islandës rezultati i arritur në ndeshjen e parë ndaj Kosovës besojnë se është i kthyeshëm.

Kosova të enjten e fitoi ndeshjen e parë të plejofit ndaj Islandës me rezultatin 2:1 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Dardanët” të dielën nga ora 18:00 do ta luajnë ndeshjen e kthimit ndaj Islandës në Murcia të Spanjës.

Ndeshja luhet në terren neutral, pasi Islanda nuk e ka të gatshëm stadiumin.

Selektori i Islandës në futboll, Arnar Gunnlaugsson, të shtunën mbrëma në konferencën e mbajtur për shtyp deklaroi se rezultati 2:1 nuk është fundi i botës dhe se është i kthyeshëm.

Ai tutje theksoi se qëllimi i Islandës është të mbetet në Ligën B të Ligës së Kombeve.

“Ditët e fundit është punuar për t’i përmirësuar gabimet e ndeshjes së parë. Ishte një paraqitje mjaft e mirë në një fushë të vështirë. Rezultati 2:1 nuk është fundi i botës kështu që ne kemi një shans të mirë për të mbajtur vendin tonë në Ligën B”, ka thënë Gunnlaugsson.

Islanda ishte në Ligën B dhe kërkon të mbetet në nivelin e dytë të Ligës së Kombeve. Kosova ishte në Ligën C dhe kërkon që për herë të parë të garojë në Ligën B, në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.

Përfaqësuesja e Kosovës ka mungesa të rëndësishme për ndeshjen e kthimit.

Për shkak të lëndimit do të mungojnë Arijanet Muriq dhe Donat Rrudhani.

Valon Berisha është i suspenduar.