Ndeshjet e përfaqësueseve përfunduan të martën mbrëma. Futbollistët u janë kthyer obligimeve të zakonshme në klubet e tyre. Stërvitje, analiza, ndeshje, por edhe respektim i rregullave të klubeve e kërkesave të trajnerëve. Respektim i afateve dhe përgjegjësi për secilin veprim.
Te përfaqësuesja e Kosovës në futboll kjo ende mungon. Grumbullimi i shtatorit, për ndeshjet me Rumaninë dhe Qipron, e konfirmoi dhe e rikonfirmoi këtë. Futbollistët që në klubet e tyre janë profesionalë, janë dukshëm më pak profesionalë kur grumbullohen me Kosovën. Nuk respektojnë oraret, dalin pa leje dhe bëjnë shkelje edhe më të rënda.
Sjellja jo e denjë e lojtarëve, apo e një pjese të tyre, është prej faktorëve që po e frenon rritjen e përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Grumbullimi i shtatorit ka dëshmuar që ka plot gjëra që nuk funksionojnë si duhet te Kosova. Prandaj edhe rezultatet mungojnë. Madje mungojnë kur lojtarët në klubet e tyre po shkëlqejnë. Jo edhe te Kosova.
Kosova garon “vetëm” në Ligën C , që është niveli i tretë i Ligës së Kombeve, përkatësisht i parafundit. Edhe në këtë nivel Kosova pëson humbje të thella, si ajo 3:0 e së premtes së kaluar në “Fadil Vokrri” ndaj Rumanisë.
Ajo ndeshje shfaqi shumë për Kosovën, por përfundime të rëndësishme mund të nxirren edhe nga fitorja 4:0 ndaj Qipros në Larnaca.
Por, cilat janë gjërat që aktualisht po e godasin rëndë përfaqësuesen dhe shpresat e tifozëve për kualifikim në një ngjarje të madhe?

Kosova vetëm si opsion
Sa i takon ekipit dhe paraqitjes në fushë, mesfusha vazhdon të mbetet reparti me më së shumti telashe te Kosova. Konkurrenca për mesfushë nuk është e duhura dhe kjo bën që rastin ta fitojnë edhe lojtarë që nuk është se shquhen shumë në klubet e tyre.
Elvis Rexhbeçaj vlerësohet ardhje shumë e rëndësishme. Ai luan në Bundesligë dhe pati ndikim në dy ndeshjet e para të edicionit të katërt të Ligës së Kombeve.
Por Rexhbeçaj erdhi te Kosova vetëm pasi nuk u bë asnjëherë pjesë e planeve të Gjermanisë. Gjermaninë e ka pritur gjatë.
Për këtë 26-vjeçar, si për shumicën, Kosova është vetëm një opsion, saktësisht i dyti.
Këtë e dëshmoi edhe rasti i Besfort Zenelit. Ai mori ftesë nga Kosova A, por vendosi të presë për Suedinë, që momentalisht nuk e ka në plan për përfaqësuesen e të rriturve. Besfort Zeneli, vëllai i Arbër Zenelit, ka luajtur për Kosovën U21. Franco Foda e ftoi për ndeshjet e shtatorit, por ai tani po e pret Suedinë.
Që Kosova është vetëm opsion e jo zgjedhje e parë, përgjegjësia më e madhe është e saj, përkatësisht e drejtuesve të FFK-së dhe të përfaqësueses. Nëse gjërat do të funksiononin si duhet në çdo drejtim, Kosova do të ishte tashmë në nivel dukshëm më të lartë dhe rrjedhimisht dukshëm më atraktiv për lojtarët që nuk janë plotësisht të vendosur e po ashtu për familjet e tyre.
Por ka shumë të bëjë edhe me lojtarët. Një pjesë e tyre Kosovën e shohin si trampolinë drejt përfaqësueseve të vendeve ku jetojnë, apo si mundësi për një lloj shantazhi ndaj përfaqësueseve të vendeve ku jetojnë. Kjo ka funksionuar në të kaluarën dhe vazhdon të funksionojë edhe sot.

(Mos)disiplina
Që nga cikli i parë kualifikues, mungesa e disiplinës nga një pjesë e lojtarëve vlerësohet se ishte goditja më e rëndë ndaj përfaqësueses së Kosovës. Selektorët janë ndërruar, por jo edhe drejtuesit e FFK-së, përgjegjësit e përfaqësueses dhe një pjesë e lojtarëve. Pak ka ndërruar edhe niveli i disiplinës.
Shkelje nga ana e lojtarëve ka pasur vazhdimisht. Selektorët nuk janë respektuar sa duhet nga lojtarët, rregullat ishin thuajse formalitet. Kjo po vazhdon të ndodhë ende.
KOHA ka mësuar se shkeljet në këtë grumbullim kanë ndodhur edhe para së shtunës kur Aro Muriq, Florent Muslija e Edon Zhegrova u larguan nga hoteli e më pas u përjashtuan nga grumbullimi për mosrespektim të rregullores. Ata ishin larguar nga hoteli i përfaqësueses pa leje dhe kishin qëndruar në lokale nate.
Të paktën dy prej tre këtyre lojtarëve kanë pasur vizita të paautorizuara në hotel edhe para asaj daljeje që u kushtoi me suspendim. Selektori Foda ua kishte tërhequr vërejtjen dhe pasi sjellja e lojtarëve nuk kishte ndryshuar, erdhi vendimi për suspendim.
Vlerësimet ishin të ndryshme, pro e kundër. Disa e shfrytëzuan situatën për sulm ndaj kryetarit të FFK-së, Agim Ademi.
Por është e qartë që përgjegjësi të madhe kanë lojtarët. Dhe se ata kanë bërë shkelje. Dhe natyrisht që pa disiplinë, me dalje të pakontrolluara, me “mysafirë” të vazhdueshëm në hotel, rezultatet mungojnë.
Prandaj edhe vendimi për suspendim mori goxha përkrahje, sidomos pasi dalja e paautorizuar ndodhi pas një humbjeje turpëruese ndaj Rumanisë.
Se ka bërë shkelje, të martën e pranoi Florent Muslija. Për të në fakt nuk ishte shkelja e parë, madje as gjatë këtij grumbullimi.
“Kam bërë një gabim, për të cilin natyrisht marr përgjegjësinë. Dy ditë para ndeshjes me Qipron, kam lënë hotelin e ekipit pa leje. Megjithatë, nuk kam dalë për të festuar deri vonë në klub – por për të shkuar për darkë. Thjesht me dalë jashtë pak. Padyshim nuk ishte ideja më e mirë dhe më e zgjuar e jetës sime. Sepse sporti i skuadrës funksionon vetëm kur të gjithë ndjekin rregullat e përbashkëta. Nuk e kam bërë këtë dhe për këtë kam kërkuar falje, te trajneri dhe sigurisht edhe te bashkëlojtarët e mi. Diçka e tillë nuk duhej të ndodhte. Dhe diçka e tillë nuk do të ndodhë më”, ka shkruar Muslija.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka paralajmëruar “dorë të fortë” ndaj atyre që thyejnë rregullat. Ka mbetur që Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ta marrë vendimin final për tre të suspenduarit.
Ka shumë që bëjnë pyetje se pse FFK-ja nuk ka vepruar deri më tani ndaj atyre që kanë shkelje. Por në një pikë duhet të veprohet dhe më mirë tani një veprim i drejtë se tolerim i mëtejmë i shkeljeve të bëra nga lojtarët.
Mungesa e disiplinës vërehet edhe në fushë. Jo të gjithë respektojnë kërkesat taktike të selektorit. Ndryshe nuk mund të kuptohet që lojtarët që shkëlqejnë në nivel klubesh bëhen gati të padukshëm kur luajnë te Kosova.

Mungesa e transparencës dhe fytyrat e njëjta
Nuk është ende plotësisht e qartë se për cilën shkelje, apo cilat shkelje, janë larguar nga grumbullimi Zhegrova, Aro Muriq e Muslija. Nuk dihet nëse përgjegjësia e të treve është e njëjtë. FFK-ja ka lëshuar vetëm një komunikatë të shkurtër për këtë rast dhe përgjegjësit nuk kanë dhënë më shumë shpjegime.
Mungesa e transparencës së plotë është tjetër gjë që godet përfaqësuesen. FFK-ja vetëm në raste të rralla dhe në mënyrë të selektuar kthen përgjigje në pyetjet e gazetarëve. Selektori Foda flet vetëm në konferencat zyrtare për shtyp. Nuk jep intervista. Lojtarët flasin vetëm kur fitojnë.
Për shembull pas ndeshjes me Rumaninë, selektori Foda nuk u paraqit në konferencë për shtyp. Nuk folën as lojtarët e as përgjegjësit e përfaqësueses. I vetmi që foli dhe që pranoi përgjegjësinë ishte kapiteni Amir Rrahmani.
Dhe kjo mungesë transparence vetëm sa e rëndoi humbjen.
Rreth përfaqësueses vazhdojnë të qëndrojnë persona të njëjtë. Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, është pjesë e vendimeve për të gjitha çështjet me rëndësi. Aty janë edhe Muharrem Sahiti e Bajram Shala si përgjegjësit kryesorë për përfaqësuese. Shtimi i Samir Ujkanit në këtë grup nuk ka ndryshuar qëndrimin jo shumë dashamirës të opinionit ndaj përgjegjësve të përfaqësueses. Ka kohë që kërkohen fytyra të reja rreth përfaqësueses. Figura me autoritet dhe me të arritura në futbollin ndërkombëtar.
Dhe një pjesë e mirë e njohësve të futbollit, por edhe e shikuesve, përgjegjës kryesorë për gjendjen te Kosova i bëjnë drejtuesit e FFK-së, përkatësisht Agim Ademin.
Fusha “beton”
Plot 1,3 milionë euro ka kushtuar rregullimi i plotë i fushës në “Fadil Vokrri”. Stadiumi i mbyllur në vjeshtën e vitit të kaluar u hap në verë. Një lojtar i skuadrës polake, Legia Varshava, tha se vrapimi në fushën e “Fadil Vokrrit” ishte si në beton.
Kjo deklaratë u prit keq nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi.
Por se gjendja e fushës, për të cilën u lavdëruan edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, nuk është në nivelin e duhur, e pranuan edhe selektori Franco Foda dhe kapiteni Rrahmani.
Fusha është shumë e fortë, bari natyral mungon në masë të madhe dhe për më tepër fusha nuk është e rrafshët dhe topi kërcen.
Infrastruktura jo e duhur e ka penalizuar Kosovën nga fillimi. Dhe ndonëse po investohen miliona, vazhdon ta penalizojë.
Ka edhe gjëra të tjera që e godasin zhvillimin e përfaqësueses së Kosovës në futboll. Rrjedhimisht edhe një cikël garues nisi keq dhe rrezikon të përfundojë pa suksesin e synuar.