Brajan Gruda dhe Rocco Reitz do të qëndrojnë më gjatë me ekipin e përfaqësueses së Gjermanisë. Kështu ka njoftuar të enjten Federata e Futbollit e Gjermanisë. Dy lojtarët e ekipit U21 të Gjermanisë do të jenë në dispozicion të përzgjedhësit të përfaqësueses gjermane, Julian Nagelsmann, deri pas ndeshjes miqësore ndaj Greqisë më 7 qershor. Më 7 qershor Nagelsmanni dhe përzgjedhësit e tjerë duhet ta dorëzojnë listën finale për “Euro 2024”.
“Gruda i Mainzit dhe Reitz i Borussia Moenchengladbachut fillimisht duhej të stërviteshin me ekipin senior të Gjermanisë deri në fund të fazës përgatitore për Kampionatin Evropian, pra deri të premten. Në Blankenhain lojtarët e kombëtares U21 ishin gjithashtu aktivë larg fushës: Të martën, Gruda e Reitz befasuan rreth 150 nxënës në një turne futbolli në shkollën shtetërore në Blankenhain”, shkruan në njoftimin e Federatës së Futbollit të Gjermanisë.
Edhe “Bild” ka shkruar se Gruda i ka lënë përshtypje të mira Nagelsmannit.
“Të dy lojtarët e ekipit U21 po bëjnë përshtypje të mira në stërvitje. Trajneri Julian Nagelsmann tashmë ka thënë se nëse ka lëndime në ekip, ata gjithashtu kanë rastin të fitojnë për turneun evropian”, shkruan gazeta e madhe gjermane.
Nagelsmann po ashtu ka folur për Grudën.
“Shpresoj që ai të tregojë vetëbesimin e nevojshëm me ne dhe të mos fshihet”, ka thënë Nagelsmann, raporton “Bild”.
Edhe Thomas Muller ka simpati për Grudën.
“Kur e shikon, sheh se ka diçka të veçantë. I mbetet atij për të treguar vendosmëri”, ka thënë Muller ndër të tjera në konferencë për shtyp.
Muller kishte ndërruar fanellën me Grudën pas ndeshjes që Bayerni e kishte ndaj Mainzit.
“Unë e mora fanellën e tij atëherë dhe me vetëdije e bëra publike sepse mendova se ai tregoi lojë të mirë”, ka theksuar Muller.
19-vjeçari në 28 ndeshje në Bundesligë ka shënuar katër gola dhe ka asistuar tri herë.
Ai me Mainzin ka kontratë deri në vitin 2026. Kartoni i Grudës vlerësohet rreth 20 milionë euro.
Gruda ka luajtur shtatë ndeshje për Shpresat e Gjermanisë në shtatë paraqitje. Ai vlerësohet potencial për të qenë lojtar i rregullt në të ardhmen edhe tek ekipi senior i Gjermanisë.