Gruaja e sulmuesit të Arsenalit, Kai Havertz, ka publikuar mesazhet abuzuese që ka pranuar në rrjetet sociale, pas humbjes që skuadra londineze e pësoi të dielën nga Manchester Unitedi në kuadër të Kupës FA.
Mesazhet kanë përfshirë edhe kërcënime ndaj fëmijës ende të palindur të çiftit.
Sulmuesi 25-vjeçar humbi rast të artë në fund të ndeshjes, ndërsa gjuajtje e tij nga pika e bardhë u ndal nga portieri i Unitedit, Altay Bayindir. Unitedi fitoi 5:3 në penallti ndaj Arsenalit, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan 1:1.
Gruaja e sulmuesit gjerman, Sophia, ka publikuar në “story” të Instagramit dy mesazhe që ka pranuar në këtë platformë.
Arsenali ka publikuar abuzimin në polici dhe po punon me një kompani të specializuar për të dhënat, për të identifikuar autorët.
“Që dikush të mendojë se është në rregull të shkruar diçka të tillë, është kaq tronditëse për mua. Shpresoj që të ndihesh shumë i turpëruar për veten”, ka shkruar gruaja e Havertzit, ndërsa ka shpërndarë njërin mesazh kërcënues që ka pranuar.
Në një mesazh tjetër të shpërndarë, ajo shkroi: “Nuk jam e sigurt se çka të them, por ju lutem djema të jeni më të respektueshëm. Ne jemi më të mirë se kjo”.
Çifti është bashkë që nga viti 2018, ndërsa u martua vitin e kaluar. Sophia në nëntor njoftoi që është shtatzënë.