Futboll

Gjysmëfinalet e Championsit: përsëritje e ndeshjes epike dhe përballje e ekipeve që synojnë trofeun e parë

Gjysmëfinalet e Championsit

Sulmi i frikshëm i Barcelonës përballë mbrojtjes së ashpër të Interit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.  

Jo diçka e re.

Kthehemi në vitin 2010, kur Lamine Yamal nuk ishte as trevjeçar e Lionel Messi ishte afër kulmit të tij.

“Camp Nou” ishte arenë e një prej ndeshjeve më të paharrueshme në Ligën e Kampionëve. U përballën skuadrat e njëjta që takohen sërish të mërkurën mbrëma. Duke mbrojtur epërsinë 3:1 nga ndeshja e parë, Interi, që atëbotë drejtohej nga Jose Mourinho, bëri një kryevepër defanzive ndaj Barcelonës së Pep Guardiolas. Mbijetoi me dhjetë lojtarë për më shumë se një orë dhe humbi vetëm 1:0. Ai rezultat ia mundësoi që të avanconte në finalen e madhe.

Kujtimet do të shfaqen këtë javë para ndeshjes së parë mes Barcelonës dhe Interit, sidomos për faktin që dy skuadrat kanë tipare të ngjashme si 15 vjet më parë. 

Barça kthehet në gjysmëfinale të Championsit për herë të parë që nga edicioni 2018/19. Ka sulmin më të mirë deri më tani në Championsin me 36 skuadra në fazën e ligës. Me Yamalin, Raphinhan dhe Robert Lewandowskin në sulm, Barcelona i shënoi 28 gola në tetë ndeshje në fazën e ligës. I shënoi nëntë gola të tjerë rrugës për në gjysmëfinale, gjatë të cilës eliminoi Benfican dhe Borussia Dortmundin.

Në gjysmëfinale e pret Interi, që pësoi vetëm një gol në tetë ndeshjet në fazën e ligës dhe e eliminoi Bayernin në çerekfinale. Interi ka tri humbje rresht në garat vendore, por Championsi është diçka tjetër. 

Interi e kishte fituar finalen e vitit 2010, ndaj Bayernit. E kishte siguruar titullin e tretë të Evropës.

Kështu që ecja drejt finales këtë edicion ka shenja të asaj fushate të suksesshme.

Ndeshja e parë mes Barcelonës dhe Interit është të mërkurën prej orës 21:00. Ndeshja e kthimit është në Itali më 6 maj.

Gjysmëfinalja e parë e Ligës së Kampionëve vë përballë Arsenalin dhe Paris Saint-Germainin. Ndeshja e parë është të martën prej orës 21:00 në “Emirates” në Londër. 

Ka dukshëm më pak histori në këtë përballje gjysmëfinale. Arsenali dhe Parisi janë takuar vetëm tri herë në Ligën e Kampionëve dhe asnjëherë në fazë të eliminimit. Përballja e fundit ishte këtë edicion.

Arsenali kishte fituar 2:0 në Londër. “Topçinjtë” kanë humbur garën në Premier League dhe gjithë fokusin e kanë në Champions. 

Tek Arsenali shpresojnë në paraqitje si ato ndaj Real Madridit në çerekfinale, që u sollën dy fitore dhe kualifikim mahnitës.

Ndërkohë Parisi synon të eliminojë kundërshtarin e tretë anglez në këtë kampanjë. Kampioni francez në një të tetën e finales e eliminoi Liverpoolin, kampionin e ri të Anglisë, ndërsa në çerekfinale e kaloi Aston Villan. Në të dy rastet parisienët u sfiduan shumë seriozisht.

Yjet si Kylian Mbappe, Neymar e Lionel Messi tashmë i takojnë historisë te Parisi. Kjo skuadër e synon titullin e parë të Ligës së Kampionëve me lojtarë të talentuar dhe shumë prej tyre në ngritje të hovshme.

Edhe Arsenali e kërkon titullin e parë të Evropës. Në gjysmëfinale nuk ishte që nga viti 2009.

Të dy skuadrat e kanë nga një finale të humbur. Arsenali në vitin 2006 e Parisi në vitin 2020.