Gjyqtari anglez me eksperiencë të madhe në futbollin evropian, Anthony Taylor, është caktuar për ta drejtuar sfidën që do ta vendos titullin e edicionit aktual në elitën e futbollit të Shqipërisë.
Kështu ka njoftuar të enjten Federata Shqiptare e Futbollit në faqen zyrtare.
“Departamenti i Komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit bën me dije se është arritur akordi, që finalja e madhe e ‘Final 4’ ku do të përcaktohet edhe ekipi kampion i këtij sezoni në kampionatin ‘Abissnet Superiore’ do të drejtohet nga gjyqtari anglez, Anthony Taylor. Gjithashtu FSHF bën me dije se edhe ndihmësit e Anthony Taylor në finalen e madhe të 26 majit do të jenë të huaj dhe në ditët në vijim do të bëhen publike emrat e përzgjedhur. Arbitri 45-vjeçar i cili mban prej kohësh stemën e FIFA-s, ka një karrierë të pasur në botën e futbollit pasi drejton takime të nivelit të lartë në Premier League, UEFA Champions League, UEFA Europa League etj.”, ka shkruar FSHF-ja ndër të tjera.
Taylor e ka drejtuar finalen e Ligës së Evropës në edicionin e kaluar, Sevilla – Roma, atë të Kupës së
Botës për Klube në edicionin 2022/2023 mes Real Madridit dhe Al Hilalit, finalen e Ligës së Kombeve 2020/2021, Spanja – Franca, si dhe finalen e Superkupës së Evropës mes Bayern Munichut e Sevillas, të edicionit 2020/2021.
Taylor së fundmi udhëhoqi edhe gjysmëfinalen e parë mes Dortmundit dhe PSG-së.