Futbollistët Hakim Ziyech, Dries Mertens dhe Mauro Icardi shënuan nga dy gola në fitoren e thellë 6:1 të Galatasarayt ndaj Sivassporit. Kjo ndeshje e zhvilluar të dielën i takoi javës së 35-të të Superligës turke. Ziyech e hapi serinë e golave në minutën e 11-të, ndërsa në minutën e 38-të Mertens realizoi për 2:0. Sivasspori ngushtoi epërsinë në 2:1 në minutën e 54-t.
Rey Manaj asistoi në golin e shënuar nga Çaner Osmanpasha.
Por Galata reagoi shpejtë. Fillimisht për 3:1 në minutën e 59-të shënoi Icardi, ndërsa një minutë më vonë, Ziyech realizoi golin e dytë për 4:1. Radhën për golin e dytë e kishte edhe Mertens, i cili në minutën e 73-të shënoi për 5:1. Për rezultatin final 6:1 shënoi Icardi në minutën e 85-të.
Edhe për Icardin ishte goli i dytë personal. Manaj luajti deri në fund të takimit, ndërsa në minutën e 92-të u ndëshkua me karton të verdhë. Galatasaray është forcuar në vendin e parë me 96 pikë.
Në vendin e dytë me një ndeshje më pak të zhvilluar është Fenerbahçe. Feneri i ka 89 pikë, kurse deri në fund të këtij edicioni kanë mbetur edhe tri xhiro për t’u zhvilluar.