Futboll

Gabimi i Mbappes në “Anfield” e komplikon fillimin e vështirë në Madrid

Kylian Mbappe

Foto: Associated Press

Kur Kylian Mbappe doli në pikën e penalltisë, ishte momenti i tij për të treguar se iu bashkua Real Madridit për të shkëlqyer në ndeshjet më të mëdha, kundër kundërshtarëve të mëdhenj. 

Në vend të kësaj, gjuajtja e Mbappes u prit nga portieri rezervë i Liverpoolit, duke shtuar një tjetër paraqitje zhgënjyese në sezonin e parë të sulmuesit me gjigantin spanjoll.

Është e vështirë të mos besohet se lojtari që udhëhoqi Francën drejt titullit të Kupës së Botës si adoleshent, do të fillojë të shkëlqejë në një Madrid të mbushur me talente të tjera të mëdha. Por, martesa e njërit prej lojtarëve më të mëdhenj të futbollit dhe klubit më të suksesshëm nuk ka prodhuar ende magji në fushë.

Madridi ka humbur tri nga pesë ndeshjet e fundit në përgjithësi. Humbi në shtëpi nga Barcelona 4:0, nga Milani 3:1 dhe u mposht në Liverpool 2:0 pas fitoreve ndaj skuadrave mesatare të futbollit Osasuna dhe Leganes.

Thellësia e lojës së dobët shihet më së miri në Ligën e Kampionëve, garë të cilën Reali e ka fituar 15 herë. Madridi është në vendin e 24-t këtë edicion pas dy fitoreve dhe tri humbjeve, përfshirë edhe humbjen nga Lille.

Derisa Madridi është goditur me disa lëndime dhe i mungon qartë Toni Kroos në mesfushë, vështirësitë e Mbappes janë një pjesë e madhe e problemit, pasi ai punon për të qenë lideri i ri i brezit pas Messit dhe Ronaldos.

Vetëm një nga nëntë golat e tij këtë edicion e ka shënuar në Ligën e Kampionëve, por Mbappe nuk shënoi në humbjet ndaj Barcelonës, Milanit dhe Liverpoolit.

Humbja e penalltisë kundër Liverpoolit rivalizon lojën e tij të keqe në një ndeshje kundër Barcelonës, kur ai u zu tetë herë në pozitë jashtë lojë.

Mbappe nuk foli pas humbjes në “Anfield” të mërkurën, kur u paraqit në vendin e tij të preferuar në anën e majtë të sulmit pas mungesës së Vinicius Juniorit. Iu la trajnerit dhe bashkëlojtarëve të tij të arsyetonin se çfarë po shkon keq.

Trajneri Carlo Ancelotti pranoi se besimi i lojtarit të tij mund të luhatet. Luka Modriq,  i cili i di më mirë se kushdo kërkesat e vendosura ndaj një lojtari të Real Madridit, tha se Mbappe po kalon një tranzicion tipi të vështirë në klub.

“Nuk është kurrë i lehtë fillimi në Madrid. Sezonet e para janë të vështira”, tha Modriqi. “Por ai është një lojtar me shumë përvojë. Ai është një yll dhe ka qenë një nga lojtarët më të mirë në botë tash e disa vjet”.

Mbappe dhe Madridi kanë një mundësi të mirë për t’u rikthyer te fitorja. Presin të dielën Getafen në La Liga.

“Ai ka mbështetjen tonë dhe ai e di se si ta kapërcejë këtë, duke mos humbur besimin dhe duke punuar çdo ditë”, thotë Modriqi. “Jam i sigurt se ai do të gjejë një mënyrë për ta kapërcyer dhe për të treguar pse është këtu”.