Përfaqësuesja e Kosovës në futbollin e sallës, i ka mbyllur kualifikimet për “Euro 2026” me fitore 4:3 ndaj Bullgarisë.
Kosova i kishte humbur gjasat për avancim në turneun final që organizohet vitin e ardhshëm në Lituani dhe Letoni pas disfatës 3:1 të premten nga Gjeorgjia.
“Dardanët” të mërkurën fituan falë “hat-trickut” të Fitim Krasniqit dhe një goli të Diar Deliut.
Pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara, Kosova e drejtuar nga selektori Agon Ramadani pati dy fitore e katër humbje dhe përfundoi në vendin e tretë me gjashtë pikë, pas dy fitoreve ndaj Bullgarisë.
Nga dy humbje i pati nga Franca dhe Gjeorgjia.
Franca e fitoi Grupin 10 kualifikues me 16 pikë, tri më shumë se Gjeorgjia.
Bullgaria e fundit nuk e fitoi asnjë pikë.
Fituesit e dhjetë grupeve siguruan Evropianin, ndërsa tetë më të mirat e vendit të dytë do të luajnë në plejof.