Futboll

Futbollistet e Kosovës U19 fitojnë edhe ndaj Kazakistanit

Futbollistet e Kosovës U19

Futbollistet e Kosovës U19 kanë shënuar fitore me gol të minutës së 98-të, në ndeshjen e dytë kualifikuese për “Euro 2025”, në Grupin 3 të Ligës B .  

Pas fitores 6:0 ndaj Maltës më 1 prill, Kosova U19 ka fituar edhe ndaj Kazakistanit. 

Futbollistet e udhëhequra nga Albina Rrahmani të premten gjatë ditës fituan 2:1 në “Centenary Stadium” në Ta’ Qali të Maltës. Malta është nikoqire e këtij grupi. 

Futbollistet e Kazakistanit kaluan në epërsi të parat me golin e Zhansezim Aissapar në minutën e 32-të. 

Por ishin penalltia e saktë e Sahare Berishës në minutën e 54-t dhe goli i Olsa Maqastenës në minutën e tetë të kohës shtesë, që ia siguruan pikët e plota “Dardaneve” të reja. 

Nga minuta e 89-të, kazaket mbetën pa Karina Botabekun që u ndëshkua me të kuq, dhe kjo u shfrytëzua nga futbollistet e reja të Kosovës që shënuan në fund për pikët e plota. 

Kosova U19 i prin grupit me gjashtë pikë, ndërsa Kazakistani mbetet pa pikë në vendin e fundit. 

Fituesit e gjashtë grupeve sa janë gjithsej dhe vendi i dytë më i mirë në Ligën B, do të promovohet në raundin e parë kualifikues të Ligës A për edicionin e ardhshëm. 

Kosova e ka edhe një ndeshje për ta luajtur në këtë grup. Më 7 prill ballafaqohet me Letoninë.