Në Superligë hyri me shumë gëzim dhe entuziazëm. Megjithatë, garimi në Superligë i Fushë Kosovës nuk ka shkuar siç është planifikuar nga drejtuesit e klubit.
Fushë Kosova po vazhdon punën intensive me synimin për ta siguruar qëndrimin në Superligë edhe për edicionin e ardhshëm, ndonëse gjasat janë gjithnjë e më të vogla.
Trajneri i Fushë Kosovës, Burim Shala, nuk është dorëzuar në garën për mbijetesë, por pranon se do të jetë shumë e vështirë.
“Edhe pse jemi në pozitë shumë të vështirë, nuk jemi dorëzuar, sepse në futboll mund të ndodhë gjithçka, mund të ndodhin edhe mrekullitë dhe sa të jemi matematikisht në garë ne duhet ta bëjmë maksimumin dhe të besojmë që mund t’ia arrijmë qëllimit. Nëse nuk besojmë në vetë atëherë do të na mungojë edhe motivi, kështu që nuk kemi llogari të hyjmë në lojë pa motiv”, ka thënë të premten për KOHËN, trajneri i Fushë Kosovës, Burim Shala.
Fushë Kosova të premten e kreu stërvitjen e radhës në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Po në këtë stadium të shtunën prej orës 15:00, Fushë Kosova do të luajë kundër Lirisë, në ndeshjen e xhiros së 31-të të elitës së futbollit kosovar. Liria në fundjavën e kaluar, u bë skuadra e parë që ra nga elita.
Trajneri Shala për duelin kundër prizrenasve synon pikët e plota, që do të ndihmonin në arritjen e objektivit.
“Jemi të motivuar, shpresojmë në piktë e plota që nga ky takim dhe në takimet e rrudhës sepse kështu do të jetë edhe kampionati më interesant. Çdo skuadër e dorëzuar do ta prishte edhe kampionatin”, u shpreh Shala.
Fushë Kosova aktualisht është në vendin e parafundit, përkatësisht të nëntin, me 20 pikë nga 30 ndeshje. Liria ka 11 pikë në vendin e fundit. Mbi Fushë Kosovën është Feronikeli 74 me 31 pikë. Fushë Kosova duhet të dalë në pozitën e tetë për të shmangur rënien direkte. Gjasat për këtë janë fare të vogla.
Shala ka treguar për telashet me të cilat është ballafaquar skuadra e tij në edicionin aktual.
“Mungesa më e madhe e Fushë Kosovës ka qenë terreni ku çdo ndeshje kemi luajtur si mysafir. Të bësh gara jashtë fushës tënde është shumë e vështirë dhe kjo na ka penalizuar më së shumti deri tash”.
Shala thekson se skuadra e Fushë Kosovës edhe në rast të rënies nga Superliga ka fituar shumë me disa lojtarë të rinj.
“Ne si Fushë Kosovë kemi fituar shumë me disa lojtarë të rijnë të cilëve u është dhënë rasti. Në të ardhmen në qoftë se do të jenë pjesë të Fushë Kosovës do të shfaqin lojëra të mira. Fushë Kosova nëse bie nga kjo ligë prapë në vitin tjetër do të synoj që të hyjë në Superligë”, u shpreh Shala.
Fitore ndaj Lirisë pret edhe futbollisti i krahut, Alden Shkreli.
Shkreli, që u transferua në fillim të këtij viti, ka pasur paraqitje të mira me Fushë Kosovën. Madje shënoi dy gola ndaj Ballkanit në fitoren 2:0, në ndeshjen e xhiros së 25-të.
“Mezi po e pres ndeshjen e ardhshme, sepse duam të fitojmë, duam ta fitojmë këtë ndeshje. E më pas të provojmë të shkojmë lart në tabelë e të qëndrojmë në ligë”, është shprehur ai.
Fushë Kosova u kthye në elitë pas nëntë vjetësh.
Autor: Endrit Makolli