M’Baye Niang ka shënuar gol në minutën e 93-të për t’i mundësuar Empolit të mbetet në Serie A edhe në edicionin e ardhshëm.
Të dielën mbrëma në kuadër të xhiros së fundit të Serie A, Empoli fitoi 2:1 ndaj Romës. Me fitore Empoli përfundoi kampionatin me 36 pikë dhe kështu do të vazhdojë garimin në elitë. Frosinone, Sassuolo dhe Salernitana largohen nga elita.
Frosinone përfundoi e 18-ta me 35 pikë nga 38 ndeshje. Sassuolo i mblodhi 30 pikë, ndërsa Salernitana vetëm 17.
Empolit barazimi nuk do t’i mjaftonte. Me barazim të Empolit, në Serie A do të mbetej Frosinone.
Niang shënoi në minutën e 93-të për fitoren e madhe të Empolit. Pas fundit të ndeshjes fusha e lojës u pushtua nga tifozët që nuk ndalën festën. Matteo Cancellieri shënoi për 1:0 në të mirë të Empolit në minutën e 13-të. Për 1:1 realizoi Houssem Aouar në minutat shtesë të pjesës së parë.
Ardian Ismajli e kompletoi ndeshjen tek Empoli. Në stol ishin Etrit Berisha e Stiven Shpendi.
Ndeshje vendimtare zhvilluan edhe Frosinone e Udinese. Udinese fitoi 1:0 dhe kështu shtyu Frosinonen drejt Serie B. Udinese përfundoi e 15-ta me 37 pikë.
Lazio barazoi 1:1 me Sassuolon, derisa kampioni Interi, luajti 2:2 me Veronan.