Federata Shqiptare e Futbollit (FSFH) ka shkruar për Kongresin e 49-të të UEFA-s të mbajtur në Beograd. Ka bërë të ditur se pjesëmarrës në Kongresin e UEFA-s ishin delegacioni i FSHF-së i udhëhequr nga presidenti Armand Duka si dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe sekretari Markus Weidner. Por FSHF-ja nuk kanë përmendur heqjen e flamurit të Kosovës nga salla ku u mbajt Kongresi i UEFA-s.
Në theks të veçantë ka shkruar Evropianin U21 të vitit 2027, që Shqipëria e organizon bashkë me Serbinë. Duka është njëri prej zëvendëspresidentëve të UEFA-s.
“Presidenti Çeferin përmendi organizimin e përbashkët të Kampionatit Europian U-21 2027 nga Shqipëria dhe Serbia si një rikujtesë të shkëlqyer se nuk ka kufij në futbollin evropian. Ai i ftoi të gjithë të lënë pas historitë e së shkuarës për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të mirë”, shkruan ndër të tjera në shkrimin e FSHF-së.
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s në shkurt bëri zyrtar vendimin që Kampionati Evropian i vitit 2027 për futbollistët deri në 21 vjet të mbahet në Shqipëri dhe Serbi.
Reagimet për organizimin e përbashkët të Shqipërisë e Serbisë ishin të shumta. Kanë reaguar njohës të futbollit, grupe tifozësh e tifozë të ndryshëm. Por nuk ka pasur e as që pritet të ketë ndonjë reagim nga Federata e Futbollit e Kosovës.