Paulo Fonseca ka konfirmuar për gazetarët, derisa po largohej nga “San Siro” që Milani e ka shkarkuar nga posti i trajnerit.
“Është e vërtetë. Ndërgjegjja ime është e pastër. Kam bërë çdo gjë që kam mundur”, ka thënë Fonseca.
Trajneri ishte i detyruar të fliste për DAZN dhe të ulej në konferencë për shtyp e të fliste për mundësinë e shkarkimit të tij, duke këmbëngulur se nuk ishte informuar për asgjë në lidhje me të ardhmen.
Gjatë gjithë kohës, burime të shumta të mediave konfirmonin se Sergio Conceicao do ta zëvendësonte atë në postin e trajnerit.
Vetëm pasi kishte përfunduar obligimet ndaj mediave, Fonsecas i është thënë nga drejtorët e Milanit se është shkarkuar.
Pas mesnatës mes të dielës e të hënës, derisa po largohej nga stadiumi pas barazimit 1:1 me Romën, ai u ndal dhe foli shkurt për gazetarët e mbetur.
“Është e vërtetë, jam jashtë Milanit. Kjo është jeta. E kam ndërgjegjen e pastër pasi kam bërë çdo gjë që ishte e mundur”, ka thënë ai.
Trajneri i ri i Milanit, Sergio Conceicao do të debutojë më 3 janar ndaj Juventusit, në gjysmëfinale të Superkupës së Italisë në Riad të Arabisë Saudite.
Djali i tij, Francisco Conceicao, luan për Juventusin.