Mesfushori Phil Foden është shpallur lojtari më i mirë i vitit nga Shoqata e Gazetarëve dhe Korrespodentëve të Futbollit në Angli (FWA), për edicionin 2023/24.
Kështu ka njoftuar Manchester City të premten.
Foden ka fituar 42 për qind të votave, ndërsa në garë për çmimin ishin edhe Declan Rice i Arsenalit dhe bashkëlojtari i Fodenit te City, Rodri.

Pasi u shpall më i miri, Foden është shprehur i lumtur për çmimin e fituar.
“Jam jashtëzakonisht krenar që e kam fituar këtë çmim. Tani jam i fokusuar për ta përfunduar edicionin sa më mirë që të jetë e mundur dhe të përpiqem ta ndihmoj Cityn të fitojë më shumë trofe”, tha Foden.
Ndërkohë, futbollistja më e mirë e vitit është shpallur futbollistja e Cityt, Khadija Shaw.
Sulmuesja Shaw është golashënuesja më e mirë e Superligës së femrave me 21 gola. Ajo fitoi garën para Lauren Jamesit të Chelset dhe Alex Greenwoodit të Cityt.
Foden dhe Shaw do të marrin çmimet e tyre në ceremoninë që do të organizohet më 16 maj.