Futboll

Foda: Për Muriqin kemi alternativa, jam i lumtur për ardhjen e Shaipit

Franco Foda

Selektori i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka pranuar se Vedat Muriqi është shumë i rëndësishëm për Përfaqësuesen. Por tekniku gjerman vlerëson se ka opsione të mjaftueshme për ta zëvendësuar sulmuesin kryesor.

Muriqi është i lënduar dhe nuk është grumbulluar për ndeshjet me Lituaninë dhe Qipron, që i takojnë Ligës së Kombeve. Sulmi i Kosovës ka shumë vjet që nuk mendohet pa Muriqin, por tani do ta kenë rastin lojtarë të tjerë të dëshmohen të rëndësishëm.

Përfaqësuesja është grumbulluar të hënën, ndërsa para stërvitjes së parë në konferencë për shtyp foli Foda.

Ai fillimisht është pyetur se i kujt ishte vendimi për t’i larguar Edon Zhegrovën, Aro Muriqin dhe Florent Muslijën nga grumbullimi i kaluar. Derisa FFK-ja ka thënë se vendimi ishte i selektorit dhe i përkrahur nga Federata, Foda ka përsëritur se vendimi ishte i përbashkët. 

“Këtë vendim e kanë marrë bashkërisht trajneri dhe Federata, duke ditur se lojtarët i kanë thyer rregullat e Kombëtares. Dhe rrjedhimisht për lojën kundër Qipros i kemi larguar”, ka thënë Foda, që më pas foli për mungesën e Muriqit dhe rëndësinë e tij për Kosovën.

Milot Rashica, sipas Fodës, është opsioni i parë për të startuar në qendër të sulmit. Ai ka përmendur edhe Fisnik Asllanin e Albion Rrahmanin.

“Vedati është lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin tonë. Por kemi mjaftueshëm alternativa. Rashica është opsioni i parë, pastaj Asllani. Është edhe Rrahmani aty. Kemi edhe disa alternativa që mund  ta zëvendësojnë Vedat Muriqin”, ka shtuar Foda.

Kosova e nisi edicionin e ri të Ligës së Kombeve me humbje 3:0 nga Rumania në Prishtinë. Më pas situata u komplikua me përjashtimin e tre lojtarëve nga Përfaqësuesja për ndeshjen me Qipron. Kosova, megjithatë, fitoi 4:0 në Larnaca më 9 shtator. Tani synon fitore të reja ndaj Lituanisë dhe Qipros për të mbetur në garë për vendin e parë.

Ndeshja me Lituaninë është të shtunën në Kaunas, ndërsa ndeshja Kosovë – Qipro është më 15 tetor në Prishtinë. 

“Nëse duam ta fitojmë grupin duhet t’i fitojmë të dy ndeshjet. Do të kemi disa seanca stërvitore. Do të shohim gjatë javës nëse do të luajmë me dy sulmues apo ndryshe. Kjo do të vendoset gjatë seancave stërvitore. Nuk ka rëndësi me sa sulmues luajmë, një, dy apo tre. Me rëndësi është ta kemi topin dhe bashkërisht, me lojë të përbashkët, të fitojmë ndeshjet”, ka theksuar Foda. 

Fitorja 4:0 ndaj Qipros është bazë e mirë mbi të cilën mund të ndërtohet.

“Lituania ka cilësi, e ka dëshmuar këtë kundër Rumanisë, luajti mirë. Për ne është me rëndësi që të marrim me vete vetëbesimin që kishim ndaj Qipros dhe ta shfaqim atë ndaj Lituanisë. E rëndësishme është që edhe nëse sulmohemi, të kthehemi prapa duke ditur se Lituania bën presion të madh”.

Amir Shaipi është emër i ri te Kosova. Ai ishte portieri i parë te Zvicra U21 dhe po paraqitet me shumë sukses te Lugano e Superligës zvicerane. Pasi nuk ishte  prej opsioneve kryesore te Zvicra A, ai vendosi ta pranojë ftesën e Kosovës. FFK-ja ka shumë vjet që e ka kontaktuar Shaipin dhe ka pritur përgjigjen e tij. 

Foda është shprehur i lumtur për ardhjen e Shaipit, që është i lindur në Zvicër por ka prejardhje nga Kosova.

“I kemi tre portierë të mirë. Amir Shaipin e kam vrojtuar me kujdes gjatë paraqitjeve te Lugano. Jam shumë i lumtur që ka vendosur të luajë për Kosovën. Ka cilësi shumë të mira, luan sigurt me këmbë dhe do të na mbështesë shumë mirë ekipin. Kush do të jetë në portë do të vendoset gjatë seancave të ushtrimeve”, ka theksuar Franco Foda.

Ai ka treguar se Meriton Korenica është në listën e 50 lojtarëve, por se nuk është përzgjedhur për këtë ndeshje. Foda thotë se ka vendosur për lojtarët që i vlerëson më të mirët për momentin, në përjashtim të Muriqit të lënduar. Për Astrit Selmanin ka treguar që është zëvendësuar me Muharrem Jasharin për shkak të një lëndimi.

Kosova është në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve. Rumania ka fituar dy ndeshjet e para dhe udhëheq me 6 pikë. Kosova e Qipro i kanë nga tri pikë, ndërsa Lituania mbetet pa pikë pas dy xhirosh.
Vendi i parë në grup siguron promovimin në Ligën B. Ky është synimi i madh i Kosovës.

“Jemi të koncentruar në dy ndeshjet e ardhshme, me Lituaninë dhe Qipron. Do të ushtrojmë intensivisht vetëm për këto dy ndeshje”, ka thënë Foda.

Kosova vlerësohet favorite e madhe ndaj Lituanisë dhe Qipros. Me të dy përfaqësueset takohet edhe Rumania, që po ashtu vlerësohet favorite e madhe. Nëse çdo gjë shkon ashtu siç pritet, ndeshja vendimtare për vendin e parë do të jetë ajo mes Rumanisë e Kosovës, që zhvillohet më 15 nëntor në Bukuresht. Në fakt, rumunët kanë përparësi shumë të madhe, për shkak të fitores bindëse në Prishtinë. 

Më 18 nëntor Kosova e përfundon garën në këtë edicion të Ligës së Kombeve me ndeshjen në shtëpi ndaj Lituanisë.