Futboll

Foda e Muriqi optimistë për “hakmarrje” ndaj Rumanisë

Franco Foda - Vedat Muriqi

Foto: Driton Paçarada

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda dhe sulmuesi Vedat Muriqi, janë shprehur optimistë për ndeshjen hapëse të Ligës së Kombeve ndaj Rumanisë, duke e cilësuar të rëndësishme nisjen mbarë të garës.

Në konferencën për media para ndeshjes të së premtes, përzgjedhësi Foda ka thënë se Kosova i njeh mirë detajet e ndeshjes së Rmanisë. Ai ka thënë se kushtet e stadiumit nuk janë të përsosura, por është shprehur entuziast për tifozërinë.

Ndërkaq sulmuesi Vedat Muriq ka thënë se grupi është shumë optimist dhe është përgatitur maksimalisht për ndeshjen. Ai ka thënë se Kosova është e përgatitur për “hakmarrje”.

Ndeshja Kosovë – Rumani i takon Ligës C, ndërsa luhet të premten prej orës 20:45.

Ndeshja pritet të jetë e “nxehtë” edhe për shkak të asaj që ndodhi në dy ndeshjet e kaluara, por edhe për provokimet që rumunët bënë të mërkurën në ndeshjen e futbollisteve të Mitrovicës.


Përzgjedhësi Franco Foda: “Deri tani kemi pasur shumë lojëra jashtë vendit. Tani kemi lojën në vend. Këto dy tri ditët e fundit kemi ushtruar me ekipin së bashku shumë mirë dhe jemi përgatitur shumë mirë për lojën e nesërme”.

“Siç kam potencuar edhe më herët. Miqësoret kanë përfunduar dhe nuk kemi kohë për të provuar. Kemi shumë alternativa, më shumë se në lojërat e kaluara. Kemi Fisnik Asllanin e Elvis Rexhbecajn. Po punojmë intensivisht për t’i fituar ndeshjet e Ligës së Kombeve”

“Elvisi është mesfushor i disa pozitave. Atë mund ta përdorim në pozita të ndryshme, është lider, agresiv. Me përvojën tek Augsburgu, do t’i sjellë skuadrës shumë të mira”

“Sikur për ekipin ashtu edhe për mua si trajner është hera e parë që po luajmë në këtë fushë të re. Deri tani nuk kishim lojë në shtëpi. Tani do ta kemi të parën. Hapësira nuk është në mënyrën perfekte. Nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme. Por jemi në shtëpi, kemi tifozët, dhe dëshirojmë të japim në këtë lojë energji të re”

“Lucescun e njoh shumë mirë. Ne analizën e kemi bërë dhe kemi përgatitje shumë të mirë. Rumaninë e kam përcjellë në Kampionatin Evropian. E ka trajnerin e ri. E njoh nga e kaluara. E kemi studiuar mirë lojën e Rumanisë. Jemi përgatitur maksimalisht”

“Krasniqi dhe Rrahmani kanë luajtur në Rumani. Ata kanë luajtur në ekipet e tyre. Kanë kaluar në Sparta Pragë. Kanë bërë hapin e radhës. Astrit Selmani ende është në Rumani. Ne në ekip i kemi diskutuar të gjitha detajet për lojën e rumunëve. I dimë thuajse gjitha detajet se si luan Rumania në sulm e në mbrojtje.


Sulmuesi Vedat Muriqi: “Siç e dini jemi në prag të ndeshjes shumë të rëndësishme. Pas shumë kohësh kthehemi në Fadil Vokrri. Jemi shumë optimist. Jemi përgatitur maksimalisht për lojën. E njohim edhe nga ndeshjet e kaluara. Shpresojmë t’i fitojmë tri pikë, dhe ta nisim mbarë”.

“Ne kemi biseduar ‘besojmë në hakmarrje’ por brenda në fushë. Nuk duhet të kthehemi njëjtë siç na bënë ata në Rumani. Ne lojtarët duam të jemi brenda fushës, dhe duhet të fitojmë për të qenë goditje e madhe për ta”.

“Besoj se ndeshja do të jetë e rëndësishme për të dyja ekipet. Rumania dhe Kosova janë favorit për ta zënë vendin e parë. Nëse e nisim mbarë me fitore, do të bëjmë hap të madh dhe të rëndësishëm për të përfunduar si lider”

“E vlerësojmë shumë si kundërshtare sepse herën e kaluar të them të vërtetën unë personalisht nuk e kam parë Rumaninë që janë shumë para nesh. Brenda fushës në lojë e kanë merituar të kualifikohen në Evropian. Kualifikimi në Evropian është shumë i rëndësishëm. Kanë lojtarë të rëndësishëm. Do të mundohen të na nxjerrin probleme. E dimë kundërshtarin, me gjithë respektin, nesër do ta japim maksimumin për t’i lënë ata pa pikë”.

“E njoh Lucescun nga Galatasaray dhe Beshiktash. Ai është shumë i njohur. Është trajner shumë i mirë. Kam respekt të madh për të. E njoh edhe në aspektin taktik.  Nesër e ka ndeshjen debutuese pas një kohe të gjatë. Ai i kushton rëndësi pjesës taktike. Nesër do të jetë më e rëndësishme pjesa mentale. I uroj suksese. Do të jetë ndeshje e vështirë për të dyja ekipet. Do të mundohemi të japim më të mirën për të marrë pikët e plota”

“Ankesën që e ka bërë FFK-ja e vlerësoj shumë sepse ka qenë ankesë me vend. Loja në Rumani është ndërprerë për gati një orë. Unë jam futbollist profesionist pavarësisht si është politika dhe si i kanë lidhje mes vete shtetet. Unë jam futbollist dhe futbolli duhet të na bashkojë, jo të na largojë. Ne si sportistë dhe sportdashës duhet të mbetemi brenda fushës. Ta shfrytëzojmë lojën maksimalisht, me gola e lojë. Edhe tifozët dhe futbollistët lidhjet politike nuk duhet të na interesojnë. Futbolli duhet t’i bashkojë njerëzit. Ankesën e vlerësoj dhe ka qenë ankesë me vend”

“Besoj që prej se jemi krijuar si Kombëtare është konkurrenca shumë e madhe në sulm, sidomos për ne që luajmë si sulmues. Nuk ndihem i rrezikuar, po ndihem mirë dhe i qetë. Po shoh që lojtarët e qetë, po e zë veten si ‘plak’ sepse ata janë djem 20-21-vjeçar. Po vijnë lojtarë të rinj, si Rrahmani, Asllani e Bytyqi. Nuk ka rëndësi nuk luan, edhe nëse nuk luajë unë, mund të luajnë të rinjtë. Po zhvillohemi dhe po rritemi bashkë”.

“Kemi shumë vite që po luajmë me Edonin e Milotin. Jemi në top-formë, siç kemi qenë para dy-tre vjetësh. Kemi potencial të mirë dhe jemi përgatitur maksimalisht. Nesër shpresoj në fitore sepse është futboll, nuk i dihet. Një gjë e kemi të sigurt. Ne do të japim maksimumin, Edoni apo Vedati, pavarësisht emrave. Nesër do të shohin të gjithë lojë kolektive. Me trajnerin jemi në kontakt. E ka kaluar atë fazën e njoftimit me lojtarët. Tashmë jemi në një fazë që dështimet ka mundësi që na dëmtojnë më tepër, por do të mundohemi të mos kemi dështime. Duam të marrim fitoren e parë sepse është shumë e rëndësishme”

“Me Albionin, Fisnikun. Kam luajtur me dy sulmues edhe në ekip. Dhe nuk do ta kisha problem të luajmë me dy sulmues. Nuk do ta ketë askush asnjë problem, pavarësisht a luajmë me një apo dy sulmues”.