Premier Leagues e Anglisë e kanë humbur mundësinë për ta pasur edhe skuadrën e pestë në edicionin e zgjeruar të Ligës së Kampionëve.
Fitorja e Borussia Dortmundit 1:0 kundër Paris Saint-Germainit në gjysmëfinalen e parë, që u zhvillua të mërkurën, ka bërë që Gjermania t’i bashkohet Italisë duke fituar një vend shtesë për edicionin e ardhshëm të Championsit.
Vendet e pesta fitohen në bazë të paraqitjeve nga secili shtet në edicionin aktual të Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës.
Aston Villa ishte ekipi i vetëm anglez që avancoi në gjysmëfinale të garave evropiane. Skuadra e Premier Leagues angleze do të luajë në Ligën e Konferencës.
Por edhe nëse shkon tutje dhe e fiton turneun, Villa nuk mund t’i arrijë pikët për Anglinë që ta kalojë Gjermaninë, shtet i cili ka dy skuadra në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës.
Fitorja e Dortmundit bëri që Gjermania të ketë 18.357 pikë. Maksimumi që Anglia mund të arrijë është 18.25 pikë.
Kjo do të thotë se Manchester Unitedi do të mbetet jashtë Ligës së Kampionëve për edicionin tjetër, e që e ngrit edhe më shumë presionin mbi trajnerin Erik ten Hag. Unitedi është tri herë fitues i Ligës së Kampionëve,
Aston Villa dhe Tottenhami – që garojnë për pozitën e katërt në Premier League – po ashtu e dinë se nuk do të ketë derë tjetër për të hyrë në skenën e madhe evropiane përpos vendit të katërt në ligë.
Sistemi i renditjes së UEFA-s i jep pikë për secilën ndeshje çdo ekipi, për fitore apo barazime në garat evropiane. Fitohen më shumë pikë nëse skuadrat avancojnë tutje.
Që prej vitit 2005, Anglia do të ishte fituese e vendit të pestë në Ligën e Kampionëve në 14 prej 19 sezoneve. Dhe pavarësisht se kishte finalistë në pesë prej gjashtë edicioneve të fundit, ekipet angleze kanë dëshpëruar me paraqitje në këtë sezon dhe e kanë humbur mundësinë e fitimit të vendit shtesë.
Manchester Unitedi dhe Newcastle dështuan të avanconin nga faza e grupeve, ndërsa Manchester City u eliminua në çerekfinale nga Real Madridi.
Ishte eliminimi më i hershëm i kampionit në fuqi të Championsit në gara, në katër vjetët e fundit.
Në Ligën e Evropës, Liverpooli befasisht u eliminua nga Atalanta në çerekfinale.
Nga ana tjetër, ekipet gjermane kanë shkëlqyer. Bayern Muenchen dhe Dortmundi avancuan në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, kurse Bayer Leverkuseni është në gjysmëfinale të Ligës së Evropës.
Dortmundi, që zë vendin e pestë në Bundesligë, e ka siguruar vendin për në Ligën e Kampionëve në edicionin tjetër, pas fitores ndaj PSG-së.
Roma aktualisht zë po ashtu vendin e pestë në Itali.
Liga e Kampionëve do të zgjerohet nga 32 në 36 skuadra për sezonin tjetër dhe lejon fazë të re të ligës që do ta zëvendësojë fazën aktuale të grupeve.
Ekipet bartëse do të luajnë kundër tetë kundërshtarëve në shtëpi e mysafir në formatin e një lige.
Tetë ekipet më të mira do të avancojnë në fazën e 16-të skuadrave.
Skuadrat nga vendi i nëntë deri në vendin e 24-t do të luajnë në plejof, në mënyrë që ta sigurojnë avancimin tutje.