(21:55) - Kampioni i Kosovës, Ballkani, ka shënuar fitore të pritur por edhe të vështirë të martën mbrëma në Andorrë.
Ballkani e mposhti 2:1 skuadrën UE Santa Coloma në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Në minutën e 90-të, Bernard Karrica gjuajti fuqishëm nga zona për fitoren e ekipit nga Suhareka.
Ballkani është paraqitur me pamje plotësisht tjetër nga edicioni i kaluar. Shumë lojtarë të rëndësishëm janë larguar gjatë verës nga skuadra e Ilir Dajës dhe rrjedhimisht shumë të tjerë erdhën. Dhe forma nuk ishte ajo që kanë shpresuar suharekasit.
Ndeshja ishte e hapur dhe me raste të shumta shënimi.
Kampioni i Andorrës kaloi në epërsi në minutën e 22-të. El Ghzaoui Darir gjuajti, ndërsa topi u devijua dhe përfundoi prapa shpinës së Enea Koliçit.
Ballkani kërkoi golin e barazimit, ndërsa atë e shënoi Lindon Emërllahu. Ai realizoi penallti në minutën e 42-të. Shifrat më nuk ndryshuan deri në minutën e 90-të, kur në skenë doli Karrica.
Skuadra andorrase i kishte dhjetë raste gjithsej, ndërsa Ballkani një më pak. Sa u takon goditjeve në kornizë të portës, Santa Coloma i kishte tri e Ballkani pesë.
Ballkani për herë të tretë po paraqitet në kualifikimet e Championsit. Në dy rastet e para ishte ndalur në raundin e parë kualifikues. Tani shorti e ka favorizuar dhe shpresohet se do të kalojë në raundin e dytë kualifikues.
Ndeshja e kthimit është të martën e ardhshme në Podujevë, nga ora 16:30. Ballkani detyrohet të luaj në Podujevë për shkak se stadiumi “Fadil Vokrri” nuk është ende gati, ndërkohë që ai në Suharekë as për së afërmi nuk plotëson kushtet për ndeshje evropiane.
Santa Coloma i ka humbur të gjitha 16 ndeshjet e deritashme në gara evropiane. Ishte pranë që të arrinte barazimin e parë, por Karrica kishte ide të tjera.
Përfundon pjesa e parë, rezultati 1:1
(20:48) - Ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes mes Santa Colomas dhe Ballkanit të Suharekës. Rezultati pas 45 minutave lojë është 1:1.
Ndeshja është e para e raundit të parë kualifikues të Championsit. Po zhvillohet në Andorrë.
Barazon Ballkani
Në minutën e 42-të nga penalltia për 1:1 shënoi Lindon Emërllahu.
Penalltia u shkaktua për ndërhyrje në Arbër Potokun.
Ballkani po pëson 1:0 në Andorrë
(20:25) - Ballkani po pëson 1:0 nga Santa Coloma në Andorrë, në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Championsit.
Vendasit shënuan në minutën e 22-të.
Gjuajtja e El Ghazouit u devijua dhe përfundoi në portën e Enea Koliçit.
