Futboll

Fitore e madhe e Kosovës U19 ndaj kampiones së Evropës

Kosova U19

Kosova U19 ka shënuar fitore të madhe të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë pasi e ka mposhtur Spanjën U19.

Spanja është kampione në fuqi e Evropës për këtë grupmoshë, por “Dardanët” e rinj arritën të marrin pikët e plota.

Elvir Gashijani, futbollisti i Llapit, e shënoi golin vendimtar të fitores së Kosovës U19, 4:3.

Dhe tani Grupi 10 ku është Kosova në kualifikimet për “Euro 2025”, është krejtësisht i hapur dhe do të vendoset në xhiron e fundit.

Spanjollët në minutën e 14-të shënuan me Pau Primin e Barcelonës, ndërsa në minutën e 26-të, e dyfishuan rezultatin me Oscar Marcosin.

Dy minuta më vonë, futbollistët e drejtuar nga përzgjedhësi Adil Maliqi, e ngushtuan epërsinë me golin e Dior Gërbovcit.

Në minutën e 34-t, rezultatin e barazoi Edion Gashi, kurse kthimi i madh në rezultat u bë pas autogolit të portierit, Raul Jimenez.

Dy minuta pasi nisi pjesa e dytë, Omar Janneh i Spanjës U19 shënoi për 3:3.

Kur ndeshja po shkonte drejt përfundimit, në skenë u shfaq sulmuesi i krahut që aktivizohet te Llapi në Superligën e Kosovës, Elvir Gashijani.

Ai shënoi për 4:3, në minutën e tretë të kohës shtesë.

Grupit 10 i prinë Austria me gjashtë pikë.

Nga tri pikë në vendin e dytë e të tretë kanë Kosova U19 dhe Spanja, 12 herë kampionia e Evropës.

Ishujt Faroe janë në vendin e fundit pa pikë.

Pikërisht ndaj Ishujve Faroe, Kosova e mbyll këtë fazë të kualifikimeve më 19 nëntor. Edhe ai ballafaqim luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Dy të parët e grupit dhe më i miri i vendit të tretë avancojnë në “Elite Round”.

Kosova U19 në pranverën e këtij viti kishte luajtur në raundin elitar dhe ishte ballafaquar edhe me Austrinë e Spanjën.

Ndaj Austrisë U19 kishte fituar 1:0, por kishte pësuar disfatë 2:1 nga Spanja dhe 2:0 nga Sllovenia.

Ishte renditur në vendin e tretë dhe nuk kishte avancuar në turneun final.

Gjasat për të luajtur sërish në raundin elitar për Kosovën U19 të drejtuar nga selektori Maliqi janë shumë të mëdha.