Futboll

Fitoi titullin e botës, Mustafi favorizon Gjermaninë dhe paralajmëron kthimin në futboll

Shkodran Mustafi

(1und1.de) – Shkodran Mustafi ka fituar Kupën e Botës me Gjermaninë në Brazil në vitin 2014. Dhjetë vjet më pas mbrojtësi do të raportojë nga Kampionati Evropian në Gjermani si ekspert. Në një intervistë, 31-vjeçari Mustafi flet për pritjet e tij nga përfaqësuesja e Gjermanisë dhe për shumë gjëra të tjera.

Mustafi ka luajtur në topliga evropiane si në Gjermani, Angli, Itali e Spanjë. Kështu që ekspertizat e tij mund të jenë të vlefshme. Në Evropian do të jetë i angazhuar për një transmetues që do t’i shfaqë të gjitha 51 ndeshjet. Mustafi do të jetë në një ekip ekspertësh me legjendën Michael Ballack.

“Nuk kam pritur që të jem ekspert në moshën 31-vjeçare. Dhe nuk kam shpresuar vërtet, pasi do të doja të luaja më gjatë. Për fat të keq lëndimet kanë ndikuar. Por tani është shumë kënaqësi që të përcjell si ekspert gjithë njohuritë dhe përvojën që kam në futboll. Kjo më mundëson të përjetoj futbollin nga një perspektivë krejt tjetër. Mezi po pres të punoj me Ballackun dhe të tjerët. Është një ekip i shkëlqyer”, ka thënë Mustafi.

Mustafi është pyetur nëse i ndihmon fakti që deri vonë ishte në fushën e lojës.

“Po, është ndihmesë. Mendoj se ende mund ta kuptoj çka ndodh në fushë apo në dhomat e zhveshjes. I njoh mendimet dhe ndjenjat e futbollistit profesionist nga perspektiva ime. Po pres sidomos për atmosferën në Evropianin në vendin tim dhe po shpresoj për paraqitje shumë të suksesshme nga ekipi i Gjermanisë”, ka shtuar Mustafi.

Në fund të vitit të kaluar përshtypjet për Gjermaninë ishin shumë negative. Por fitoret në muajin e kaluar ndaj Francës dhe Holandës kanë bërë që gjermanët të ëndërrojnë titullin në Evropiane.

Mustafi pajtohet që Gjermania ka skuadër për të garuar për titull.

“Për më tepër kemi Julian Nagelsmannin, trajnerin që më bind. Mendoj se ai mund ta udhëheqë ekipin si duhet. Atij i duhet kohë që të përshtatet në pozitën e re. Ka dallim të madh në mes të udhëheqjes së një ekipi dhe përfaqësueses. Si trajner nacional ju nuk i keni djemtë afër çdo ditë dhe nuk keni shumë kohë për t’iu dhënë këshilla taktike dhe ide se si të luajnë. Ndaj Francës dhe Gjermanisë kam parë Gjermaninë në nivelin më të lartë taktik dhe të futbollit në përgjithësi”, thotë Mustafi.

Mbrojtësi me përvojë thotë se Nagelsmann ka përzgjedhur më të mirët për ndeshjet e kaluara dhe është bazuar në paraqitjet e lojtarëve në skuadrat e tyre. Ai megjithatë është befasuar që Nagelsmann ftoi shumë emra të rinj në prag të Evropianit. Sipas Mustafit, kthimi i Toni Kroosit te Gjermania ka sjellë eufori në vendin organizator të “Euro 2024”.

Mustafi ka parë unitet në ekipin gjerman. Thotë se Gjermania ka klasin individual për të fituar ndaj gjithë kundërshtarëve.

“Lojtarët e përzgjedhur dëshmuan se e meritojnë të jenë në përfaqësuese. Por, ka shumë lojtarë të tjerë që meritojnë ftesën. Dhe kjo garë është e mirë për ekipin”, ka thënë Mustafi.

Mustafi ka folur edhe për dy portierët cilësorë të Gjermanisë, Manuel Neuerin dhe Marc-Andre ter Stegenin. Sipas tij, Gjermania gjithnjë e ka pasur “problemin luksoz” të shumë portierëve cilësorë. Sipas Mustafit, numri dy apo numri tre i Gjermanisë do të ishte numri një në shumë përfaqësuese të tjera. Ai ka thënë se Neueri dhe Ter Stegeni janë në nivel të njëjtë, porse Neuer do të jetë i pari, nëse nuk ka telashe me lëndime.

Neueri, Kroosi dhe Thomas Muelleri janë ende te Gjermania prej lojtarëve që kanë fituar Botërorin në vitin 2014.

“Nëse ka diçka që mund të mësohet nga Kupa e Botës 2014, është qëndrimi së bashku në çdo situatë gjatë gjithë turneut. Turneu jo gjithnjë do të shkojë në mënyrën që shpresohet dhe ndeshjet jo gjithnjë do të jenë të bukura si imagjinohet. Është me rëndësi përballja e situatave si ekip”.

Ish-mbrojtësi i Arsenalit ka paralajmëruar kthimin në fushën e blertë. Së fundi Mustafi ka luajtur për Levanten në La Liga 2, në maj të vitit të kaluar. Gjatë karrierës së madhe ishte edhe te Schalke, Arsenali, Valencia, Sampdoria.

“Këtë muaj i mbush 32-vjet, por mendoj se jam ende i ri mjaftueshëm dhe ende kam energji dhe motivim për të sulmuar në fushë. Kjo është dëshira ime më e madhe. E di që situata ime nuk është e lehtë. Kur jeni jashtë për kohë të gjatë ju duhet të gjeni mënyrën për t’u kthyer. Por i besoj vetes për këtë. Shumë gjëra që jam mësuar t’i shoh vetëm nga perspektiva e lojtarit tani i shoh nga kënde të ndryshme. Kjo më ndihmon që të kuptoj shumë gjëra më mirë. Interesimi për të parë gjërat nga perspektiva e trajnerit është po ashtu shumë i madh. Për këtë jam i sigurt se do të pajisem me licencë të trajnerit në një pikë në të ardhmen”, thotë Mustafi.