Futboll

Finale “ëndrrash”: kampioni përballë fituesit në fuqi të Kupës

Kupa - Futboll

Fituesja në fuqi, Prishtina, dhe kampioni, Ballkani, do të përballen në finale të Kupës së Kosovës në futboll.

Prishtina në gjysmëfinale eliminoi Dritën, ndërsa Ballkani e eliminoi skuadrën e Suharekës.

Prishtina të mërkurën mposhti 1:0 Dritën në Gjilan. Autogoli i mesfushorit Albert Dabiqaj në minutën e 111-të e vendosi sfidën. Ndeshja e parë e luajtur në Lipjan, ku Prishtina ishte vendase, kishte përfunduar 0:0.

Trajneri i Prishtinës, Emmanuel Egbo, ka thënë se fitorja ndaj Dritës ishte shumë e rëndësishme. Shpresa e vetme për të siguruar Evropën për Prishtinën është triumfi në Kupë. Në kampionat Prishtina është në pozitën e pestë me 43 pikë, kurse Drita është në vendin e dytë me 58 pikë, sa ka edhe Llapi në vendin e tretë. 

“E kemi diskutuar me çunat gjatë gjithë javës. Është mundësi për të shkuar në finale dhe pastaj të shkojmë në Evropë. Falënderoj të gjithë çunat, ata që luajtën titullar, por edhe ata që janë inkuadruar”, ka deklaruar Egbo. 

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, u shpreh i zhgënjyer me disfatën.

“A ishte e merituar apo jo, ata janë në finale. Për rezultatet negative unë e marr përgjegjësinë. Tash kemi edhe gjashtë ndeshje në kampionat. I kemi disa ditë në dispozicion që ekipi të rikuperohet, do të luftojmë deri në fund për kreun. Ky eliminim do të ndikojë në aspektin fizik e psikologjik. Por, do ta rikuperojmë ekipin për përballjen e së dielës ndaj Dukagjinit”, ka deklaruar Ramadani.

Prishtina e Ballkani u takuan në fillim të vitit në ndeshjen për Superkupën e Kosovës.

Prishtina kishte fituar 2:1.

Prishtina është tetë herë fituese e Kupës së Kosovës.

Njërën prej kupave e kishte fituar në edicionin 2019/20, kur në finale e kishte mposhtur Ballkanin, 1:0.

Kampioni Ballkani në gjysmëfinale eliminoi Suharekën. Ndeshja e dytë përfundoi baras, 2:2. Por kalimin tutje skuadra e Ballkanit e siguroi falë fitores së arritur në ndeshjen e parë me rezultatin 1:0.

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, thotë se do të kënaqeshin nëse do ta fitonin trofeun e Kupës. 

“Na vjen mirë që jemi finalistë. Nuk  kënaqemi pasi po nuk e ngrite Kupën, shkon dëm gjithë djersa e derdhur për të arritur deri në finale”, ka thënë Daja.

Gentrit Halili shënoi golin e parë për Ballkanin. Ai realizoi me kokë në minutën e 10-të, ndërsa për 2:0 në minutën e 74-t realizoi Nazmi Gripshi.

Suhareka u kthye me dy gola në finish të takimit. Dy golat e barazimit i shënoi Fitim Susuri. Të parin në minutën e 82-të, kurse të dytin në minutën e 91-të.

Trajneri i Suharekës, Arsim Thaqi, ka vlerësuar paraqitjen ndaj Ballkanit. Ai ka thënë se Suhareka nuk do të njohë limite.

“Na mbetet të luftojmë në kampionat dhe shpresojmë të jemi në Superligë në edicionin tjetër. Kjo skuadër nuk do të ketë limite duke i njohur investitorët”, ka thënë Thaqi.

Suhareka po udhëheq në njërin grup të Ligës së Parë.