Nga 12 penallti i kanë gjuajtur lojtarët e Servettes dhe të Luganos në finale të Kupës së Zvicrës në futboll, të dielën.
Në serinë e 12-të, Yoan Severin i Servettes realizoi, ndërsa Lukas Mai i Luganos dështoi. Kështu Kupa e Zvicrës i takoi Servettes me rezultatin 9:8 në penallti.
Portieri i Luganos, Amir Shaipi, priti dy penallti dhe realizoi në serinë e 11-të. Por kjo nuk mjaftoi. Mbrojtësi i Zvicrës, Albian Hajdari, humbi penalltinë në serinë e dhjetë dhe rastin e madh për t’ia siguruar Luganos trofeun historik të Kupës.
Ndeshja në kohën e rregullt dhe pas dy vazhdimeve përfundoi 0:0.
Shaipi, Hajdari e Uran Bislimi startuan te Lugano. Mesfushori Bislimi u zëvendësua në minutën e 84-t. Sulmuesi Shkëlqim Vladi u aktivizua në minutën e 55-të te Lugano, por la fushën në minutën e 91-të për shkak të një lëndimi.
Në stol te Servette ishte portieri i Kosovës U21, Leo Besson.
Finalja e Kupës së Zvicrës u zhvillua në Bernë.
Servette i ka 17 tituj të Zvicrës dhe tani edhe tetë kupa. Së fundi Kupën e kishte fituar në vitin 2001.
Lugano ka humbur finalen e pestë të Kupës. Nuk e ka fituar asnjëherë. I ka tre tituj të Zvicrës, por të fundit në vitin 1949.