Nedim Bajrami ka nisur me sukses karrierën te gjiganti skocez, Rangers. Debutoi në ndeshjen kampionale ndaj Dundee Unitedit, ndërsa Rangersi fitoi 1:0. Më pas asistoi në fitoren 3:0 ndaj Dundee FC, në ndeshjen e Kupës së Ligës. Dhe në debutimin evropian me Rangersin, shënoi gol.
Të enjten mbrëma Rangersi fitoi 2:0 ndaj Malmos në Suedi, në xhiron e parë të fazës së ligës në Ligën e Evropës.
Reprezentuesi i Shqipërisë shënoi që në minutën e parë, përkatësisht në sekondën e 56-të. Edhe goli i kaluar i Bajramit ishte në minutën e parë të ndeshjes. Ai vendosi rekord të kampionateve evropiane me golin ndaj Italisë në Euro 2024, të shënuar në sekondën e 23-të.
Ndaj Malmos, Bajrami përfitoi nga një top i kthyer nga shtylla dhe shtyu topin në portën e zbrazët. 25-vjeçari luajti ndeshje të suksesshme. Qëndroi në fushë 84 minuta dhe ishte më i vlerësuar.
Bajrami u transferua në Skoci pas karrierës shumëvjeçare në Itali. Pas zhvillimit në Zvicër, ai luajti për Empolin e Sassuolon në Itali.
“Ishte shumë mirë për mua që shënova gol dhe ndihmova ekipin me këtë gol. Duhet të vazhdojmë kështu. Kemi shumë ndeshje dhe jam shumë krenar që ndihmova ekipin me gol. Kemi bërë presion të mirë me Cyriel Dessers dhe më pas topi erdhi tek unë dhe unë thjesht shënova golin. Duhet të vazhdojmë kështu”, ka thënë Bajrami për transmetuesin e ndeshjes.
Në Skoci është vlerësuar lart fitorja e Rangersit ndaj Malmos në Suedi. Ka pasur shumë raportime edhe për golin e shpejtë të Bajramit, që i ka 28 ndeshje e pesë gola me kuqezinjtë.
Vetë Bajrami po e gjen veten mirë në Skoci.
“Është pak më ndryshe pasi në pesë vjetët e fundit isha në Itali. Por ngadalë po përshtatem me futbollin skocez dhe jam shumë i lumtur që jam këtu”, ka shtuar Bajrami.
Ai është larguar nga Italia me përvojën e 100 ndeshjeve në Serie A, gjatë të cilave i realizoi dhjetë gola e 11 asistime. Kalimin te Rangersi e vlerëson hap para.
Trajneri i Rangersit, Philippe Clement, pret që Bajrami të bëhet edhe më i rëndësishëm për skuadrën.
“Goli i hershëm është shumë i rëndësishëm për Nedim Bajramin. Ai është në fazë të përshtatjes, por mund të shihet ndikimi që ka në mënyrën se si duam të luajmë. Ai do të bëhet lojtar i rëndësishëm”, ka theksuar Clement.