Futboll

Fillim ëndrrash për Aston Villan në Champions

Aston Villa

Tri fitore rresht, pa gol të pranuar dhe pikë maksimale në krye të tabelës. Paraqitja e parë e Aston Villas në Ligën e Kampionëve nuk do të mund të fillonte më mirë.

Fitorja 2:0 ndaj Bolognas të martën mbrëma bëri që bilanci i Villas të jetë maksimal edhe pas xhiros së tretë, në kampanjën e parë të klubit në garën elitare evropiane që nga viti 1983. Atëbotë gara elitare njihej si Kupa Evropiane, ndërsa Villa ishte kampione në vitin 1982.

“Ajo që po ndërtojmë këtu është mahnitëse”, ka thënë kapiteni i Villas, John McGinn, njëri prej golashënuesve ndaj Bolognas në “Villa Park”.

Villa e nisi kampanjën në Champions me fitoren 3:0 ndaj kampionit të Zvicrës, Young Boys. Më pas mposhti gjigantin gjerman, Bayern, 1:0, në ndeshjen e parë në shtëpi.

Gjysma e skuadrave të Championsit të martën e luajtën ndeshjen e tretë. Dhe vetëm Aston Villa i ka nëntë pikë.

“Po luajmë me seriozitet, po luajmë të fokusuar, me përgjegjësi dhe ekipi po avancon dhe po piqet në çdo gjë”, ka thënë trajneri Unai Emery, që mori drejtimin e skuadrës dy vjet më parë, kur Villa ishte pak mbi zonën e rënies në Premier League.

Çelësi këtë edicion ishte forma e Jhon Duran, 20-vjeçarit nga Kolumbia, që ka shpërthyer.

Duran bëri një start të rrallë ndaj Bolognas në vend të zgjedhjes së parë për sulmin Ollie Watkins. Është zëvendësuar nga qendërsulmuesi tjetër pak pasi shënoi me goditje volej në minutën e 64-t, pas krosimit të Morgan Rogers.

Watkins ishte duke pritur që të futej në lojë dhe është parë duke duartrokitur golin e Duranit, që tani i ka shtatë gola në 12 ndeshje këtë edicion. Në shumicën prej tyre ishte zëvendësues. Duran kishte shënuar golin edhe ndaj Bayernit, pak minuta pasi kishte hyrë në vend të Watkinsit.

“Kur Duran e pa që unë po mendoja ta zëvendësoja, rriti ritmin dhe shënoi golin”, ka thënë Emery duke qeshur. “Ishte fantastike. Ai po kërkonte më shumë kohë, sepse mendonte se mund të shënonte më shumë gola”.

Duran nuk ishte i lumtur për zëvendësimin menjëherë pas golit për 2:0. Goditi me zemërim një ulëse në bankinë dhe u nis drejt zhveshtores menjëherë. U kthye në fund të ndeshjes dhe u bashkua në festën e ekipit anglez.

Seria e fitoreve të Villas në Champions mund të vazhdojë. Më 6 nëntor skuadra e Emeryt udhëton për në Belgjikë për t’u përballur me Club Brugge.