Pretendimet e Fushë Kosovës se presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi, ka sulmuar fizikisht kryetrajnerin Burim Shala, morën mbështetje të martën nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Është Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit që ka hapur procedurë disiplinore ndaj kryetarit të Ballkanit, Arsim Kabashi.
“Pas përfundimit të ndeshjes, në korridorin e zhveshtoreve, dyshohet se ka sulmuar fizikisht kryetrajnerin e ekipit mysafir, Burim Shala. Sipas raportit të personave zyrtar të ndeshjes Ballkani – Fushë Kosova”, shkruan në inicimin disiplinor për Arsim Kabashin.
Ballkani të dielën në stadiumin e qytetit në Suharekë fitoi 3:0 ndaj Fushës Kosovës dhe iu afrua titullit të ri, të tretit rresht. Dy xhiro para fundit udhëheq në tabelë me 72 pikë, katër më shumë se Llapi. Pikërisht ndaj Llapit luan në xhiron e parafundit, në fundjavë në Podujevë.
Inicim disiplinor është bërë edhe ndaj Ballkanit për lëshim në organizim të ndeshjes.
“Pas përfundimit të ndeshjes, në korridorin e zhveshtoreve, persona të paautorizuar shajnë, ofendojnë dhe sulmojnë fizikisht kryetrajnerin e ekipit mysafir, Burim Shala”, shkruar në vendimet e Komisionit të Garave. Pra komisioni ka konfirmuar se Shala është sulmuar nga më shumë se një person.
Fushë Kosova me të përfunduar ndeshja kishte akuzuar Ballkanin për sulm fizik ndaj kryetrajnerit të saj. Nga Fushë Kosova drejtuan gishtin kah anëtarët e kryesisë së klubit suharekas.
“Kryesia e klubit vendas nisi duke ofenduar ekipin tonë, konkretisht trajnerin Burim Shala. Këto ofendime erdhën pikërisht nga presidenti i klubit Ballkani, Arsim Kabashi. Ai me disa individë të tjerë të kryesisë së klubit filluan ofendimet dhe fjalët e turpshme në drejtim të trajnerit tonë, me pretekstin se ekipi ynë po luan për ekipet tjera dhe se nuk po e lëshojmë ndeshjen ashtu si kërkuan anëtarët e kryesisë”, shkruan në komunikatën e Fushës Kosovës.
Fushë Kosova ka humbur gjasat për mbetje në Superligë, por drejtuesit e saj kanë deklaruar se do të respektojnë deri në fund kampionatin. Në fakt ky është obligim minimal në një kampionat të rregullt. Sa i takon Superligës së Kosovës, rregullsia shpesh kontestohet.
“Pati edhe sulm fizik ndaj nesh, duke u goditur trajneri Shala nga presidenti Kabashi. Klubi ynë distancohet nga politika të tilla dhe do të luaj futboll deri në pikën e fundit”, shkruan tutje në komunikatën e Fushë Kosovës.
Te Ballkani kishin mohuar sulmin. Është hera e dytë që drejtuesit e Ballkanit akuzohen për sulm ndaj anëtarëve të klubeve tjera. Ballkani pretendon se ndaj tij po bëhet fushatë e “pakuptimtë”.
“Nuk kalojnë akuzat për asnjë sulm në shtëpinë tonë. Ndeshjet fitohen apo humben në fushë, kur aty mbyllet takimi, të tjera vegëza nuk e ndryshojnë asnjë gjë. Një rezultat i tillë e më se normal ndaj Fushë Kosovës, nuk qe i kapërdishëm për dikë, konkretisht zv. trajnerin e tyre, i cili rrugës për zhveshtore, nisi të fyej e ofendoj në drejtim të anëtarëve tanë, e dikush edhe mund t’ia ketë kthyer me fjalorin e njëjtë. Për këtë posa t’i marrim të gjitha detajet nga akterët, do të sqarohemi me informacione të tjera”, shkruan në komunikatën e Ballkanit të lëshuar po ashtu të dielën.
Suharekasit kanë shkruar në komunikatë se “Ballkani mbetet sinonim i pritjes së mirë”.
Komisioni i Garave megjithatë ka vënë hije mbi këtë deklaratë të klubit kampion.
LEXO EDHE: