Futboll

Festë në Ulqin, Otranti përkundër pengesave kualifikohet në elitë

Otrant

Me këngën “Nën hije t’limonit...” dhe me fishekzjarrë janë pritur lojtarët e Otrantit të martën mbrëma në sheshin kryesor të Ulqinit, pranë plazhit të vogël. Kishte festë futbolli për ulqinakët. Skuadra nga ky qytet, Otrant-Olympic, për herë të parë është kualifikuar në Ligën e Parë të Malit të Zi në futboll.

Në barazhin për vend në ligën elitare, Otranti ishte më i mirë se Mladosti i Podgoricës. Pas fitores 1:0 në Ulqin më 31 maj, Mladosti e Otranti të martën  mbrëma në Podgoricë luajtën 2:2. Kristijan Shkreli e Benjamin Rexhoviq i shënuan golat për skuadrën ulqinase.

Mladosti ishte në Ligën e Parë, por tani do të luajë në të dytën. Ndërkohë Otranti ishte në të dytën e tani kalon në Ligën e Parë.

Suksesi i Otrantit, i festuar deri në orët e vona, ishte shumë i vështirë. Mladosti nuk e ka pranuar lehtë humbjen në ndeshjen e parë. Kishte caktuar çmim prej 100 euro për biletë për tifozët e Otrantit. Por pas presionit publik, klubi nga Podgorica u pajtua që të ndajë 350 bileta falas për tifozët e Otrantit. Drejtuesit e dy klubeve mbajtën një takim dhe u pajtuan për ulje të tensioneve.

Edhe pas ndeshjes së dytë, Mladosti nuk ishte korrekt. Dritat në stadium u ndalën derisa trajneri i Otrantit po jepte intervistë.

“Sjellja josportive e ekipit vendas dhe organizatorit të ndeshjes krijoi atmosferë të paparë deri më tani. Me ndaljen e dritave në stadium u është pamundësuar tifozëve të Otrantit të largohen si duhet. Kjo vetëm sa ka forcuar përshtypjet negative. Këto sjellje të papritura të nikoqirit e prishin shpirtin sportiv dhe lënë përshtypje negative për të gjithë pjesëmarrësit dhe shikuesit e ndeshjes”, shkruan në një deklaratë të Otrantit të mërkurën.

Sipas klubit nga Ulqini, një tribunë ishte e zbrazët, ndërsa tifozët e tij është dashur të qëndrojnë në shkallë për shkak të mungesës së vendeve në tribunën e rezervuar për ta.

Por kjo nuk ka penguar festën.

“Tifozët kanë festuar gjatë gjithë rrugës deri në Ulqin e më pas deri në orët e mëngjesit. Në festë janë bashkuar qytetarët e tjerë, përkundër që ekipi arriti vonë në Ulqin. Ky sukses i solli gëzim gjithë qytetit”, shkruan në deklaratën e Otrantit.

Suksesi i klubit nga Ulqini erdhi pak ditë pas një tjetër skuadër shqiptare, Deçiqi i Tuzit, e fitoi titullin e parë të kampionit në histori. Pra si Deçiqi ashtu edhe Otranti janë në momentin më të mirë në historinë e gjatë.

Për inkuadrim në Ligën e Parë të Malit të Zi, lojtarëve të Otrantit u takon bonusi prej 40 mijë eurove. Atë e ka premtuar kryetari i ri i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.

“Morët një fitore që do të mbetet në histori. Nuk është vetëm gëzimi i juaj, por i gjithë banorëve të Ulqinit. Pos premisë, ju premtoj se klubi do të ketë financim të sigurt”, ka thënë Nimanbegu.