Futboll

Festa ka përfunduar, Xhaka e Leverkuseni kërkojnë suksesin në Ligën e Evropës

Granit Xhaka

Festa ishte e madhe pasi Bayer Leverkuseni të dielën e siguroi titullin e parë të Bundesligës në historinë 120-vjeçare. Granit Xhaka e bashkëlojtarët e tij të hënën e kishin ditë pushimi. Të martën u kthyen në fushën e blertë, me një stërvitje të lehtë. Të mërkurën punuan me intensitet të plotë e të enjten kërkojnë suksesin e radhës.

Tani Leverkuseni synon vendin në gjysmëfinale të Ligës së Evropës. Të enjten prej orës 21:00 luan në Londër ndaj West Ham Unitedit në ndeshjen e dytë çerekfinale. Ndeshjen e parë në Leverkusen, Bayeri e kishte fituar 2:0.

Skuadra e Xhakës është në seri prej 43 ndeshjeve pa humbje. Xhaka nuk ka humbur asnjë ndeshje zyrtare me Leverkusenin. Ka luajtur në 41 prej këtyre 43 ndeshjeve. Në dy të tjera u pushua. 

Nëse e vazhdon serinë, Leverkuseni do të jetë në mesin e katër skuadrave më të mira në Ligën e Evropës, që është gara kontinentale e dytë për nga niveli. Bayer Leverkuseni në fakt i kërkon tre trofe të mëdhenj këtë edicion. Më 25 maj në Berlin do të paraqitet në finale të Kupës së Gjermanisë. Përballë do ta ketë Kaiserslauternin.

“Absolutisht e kemi merituar të jemi kampionë. Por nuk kishte shumë kohë për të festuar. Tani duam të kemi sukses në Ligën e Evropës”, ka thënë Xhaka të mërkurën pasdite. Ai u paraqit në konferencën zyrtare për shtyp para ndeshjes së dytë me West Hamin.

Xhaka u kthye në Londër, ku luajti gjatë për Arsenalin.

Shumë meritor për suksesin e Leverkusenit po vlerësohet trajneri Xabi Alonso.

“Do të ketë mjaftueshëm kohë pas edicionit për të reflektuar për të gjitha, tani është koha e Ligës së Evropës. Po kemi një edicion të mirë dhe mund ta bëjmë dukshëm më të mirë. Kam ndjenjë të mirë për këtë ekip. Lojtarët më japin mjaftueshëm arsye për të besuar në ta. Ekipi tregon dëshirë për ta shtyrë veten drejt limitit. Secili e ka dëshirën e madhe për sukses”, ka shtuar Alonso.

Ndeshja megjithatë nuk pritet të jetë e lehtë për skuadrën gjermane. Fitorja në Leverkusen ishte arritur me shumë vështirësi.

“Ne shkuam në Leverkusen dhe luajtëm deri në minutën e 83-të para se ta pranonim golin e parë. Mund  të na duhet aq kohë nesër. Duhet të jemi të durueshëm dhe të luajmë deri në fund. Do të bëjmë çdo gjë që t’ia dalim, në mënyrën e duhur. Këto janë raste të mëdha. Do të jetë ndeshje shumë e vështirë, por ne kemi besim”, ka thënë trajneri i West Hamit, David Moyes.

Të enjten janë edhe tri çerekfinalet e tjera të Ligës së Evropës.

Liverpoolin e pret punë shumë e vështirë në Bergamo të Italisë. Luan ndaj Atalantas prej orës 21:00. Atalanta e Berat Gjimshitit kishte fituar 3:0 në ndeshjen e parë në “Anfield”.

Dramatike pritet të jetë ndeshja mes Romës e Milanit. Roma kishte fituar 1:0 në “San Siro”, javën e kaluar.

Çerekfinalja e fundit është mes Marseillet dhe Benficas. Në Portugali, Benfica kishte fituar 2:1.