Futboll

Ferizaj e mposht Gjilanin, shënon fitoren e dytë rresht

Ferizaj

(E përditësuar) - Ferizaj ka fituar 2:1 të premten gjatë ditës në terrenin me bar sintetik në Gjilan, ndaj Gjilanit. 

Me pikët e plota të fituara në kuadër të xhiros së nëntë të elitës së futbollit kosovar, Ferizaj tani ka kaluar në pozitën e shtatë me 10 pikë, një më shumë se Gjilani që zë vendin e tetë. 

Ferizaj kishte pesë disfata rresht para se ta mposhtte Dukagjinin në xhiron e kaluar. 

Ndërkohë, Gjilani ka pasur formë të luhatshme. 

Në ndeshjen ndaj ferizajasve vinte pas fitores ndaj Prishtinës dhe barazimit në derbi ndaj Dritës në xhiron e kaluar. 

Gjilani tani ka katër humbje gjithsej, tri barazime e dy fitore. 

Edon Sadriu në minutën e 14-t shënoi për 1:0 në të mirë të Ferizajt. 

Golin e dytë e realizoi Abdeen Temitope Abdul, në minutën e 44-t. Abdul shënoi me kokë nga afërsia. 
Në minutën e 50-të, Ferizajt iu anulua një gol i shënuar nga Qlirim Avdulli, pasi gjatë ndërtimit të aksionit pati ndërhyrje të palejuar. Kjo u pa nga gjyqtari Dardan Çaka, pas rishikimit të situatës në VAR. 

Gjilani u kthye në lojë në minutën e 72-të me golin e sulmuesit Senad Jaroviq. Edhe në këtë rast, ferizajasit protestuan për faull në zonë, por gjyqtari Çaka e pranoi golin pasi u konsultua me VAR-in. 

Në minutën e 85-të, Jamal Arago e la Gjilanin me dhjetë lojtarë në fushë pasi mori kartonin e dytë të verdhë. Gjilani mbeti edhe pa Besir Ramadanin, që mori karton të kuq direkt në minutën e 94-t. Edhe ky karton u dha pas rishikimit të situatës në VAR. 

Në ndeshjen e xhiros së dhjetë, Gjilani luan sërish në shtëpi dhe e pret Llapin. 

Ndërkohë, Ferizaj në “Rexhep Rexhepi” në Drenas, përballet me Feronikelin 74.


Edhe një karton i kuq për Gjilanin

Edhe një karton i kuq i është dhënë futbollistëve të Gjilanit. 

Besir Ramadani në minutën e 94-t është përjashtuar direkt nga loja. 

Gjyqtari Dardan Çaka e dha kartonin e kuq, pasi e pa situatën në VAR.


Gjilani me një futbollist më pak në fushë

Gjilanit i janë vështirësuar punët në duelin ndaj Ferizajt. 

Jamal Arago pesë minuta para fundit, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, pas ndërhyrjes ndaj Albion Kurtajt dhe u përjashtua nga loja.


Gjilani kthehet në lojë

Gjilani është kthyer në lojë në duelin ndaj Ferizajt dhe e ka ngushtuar rezultatin në 2:1. 

Sulmuesi shtatlartë, Senad Jaroviq, realizoi në minutën e 72-të me gjuajtje të saktë nga zona. Ferizajasit protestuan për ndërhyrje të palejuar. 

Por, goli u pranua edhe pas rishikimit të situatës në VAR.

Rezultati është 2:1 në të mirë të Ferizajt.


Ferizajt i anulohet goli i tretë

Ferizaj ka shënuar edhe një tjetër gol ndaj Gjilanit në udhëtim, në ndeshjen e xhiros së nëntë të Superligës, por që është anuluar nga gjyqtari Dardan Çaka. 

Pesë minuta pasi nisi pjesa e dytë, Qlirim Avdulli shënoi për 3:0, pas asistimit të përkryer të kapitenit Edon Sadriut. 

Por, gjyqtari Çaka e rishikoi situatën në VAR dhe pa ndërhyrje të palejuar gjatë ndërtimit të aksionit.


Ferizaj nuk ndalet, e shënon edhe golin e dytë

Ferizaj e ka shënuar edhe golin e dytë në udhëtimin ndaj Gjilanit. 

Për 2:0 shënoi qendërsulmuesi Abdeen Temitope Abdul, në minutën e 44-t. 

Ai realizoi me kokë nga afërsia, në portën e portierit Kenan Haxhihamza. 

Me rezultatin 2:0 në të mirë të Ferizajt është mbyllur pjesa e parë. 

Golin e parë e realizoi Edon Sadriu. Kapiteni i Ferizajt realizoi në minutën e 14-të. 

Ndeshja i takon xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në futboll.


Ferizaj befason Gjilanin, shënon Sadriu

Kapiteni i Ferizajt, Edon Sadriu, e ka kaluar në epërsi Ferizajn ndaj Gjilanit, në ndeshjen e xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në futboll.  

Ndeshja po luhet në terrenin me bar sintetik në Gjilan. 

Sadriu e kaloi në zonë mbrojtësin Besir Ramadani dhe më pas realizoi me gjuajtje të saktë për 1:0. 

Ai shënoi në minutën e 14-të.