Fenerbahçe ka barazuar të dielën në ndeshjen e xhiros së 33-të të Superligës së Turqisë dhe ka mbetur pesë pikë prapa Galatasarayt në garën për titull.
Pas barazimit 3:3 në shtëpi ndaj Kayserisporit, Fenerbahçe tani ka 72 pikë në vendin e dytë.
Skuadra e drejtuar nga Jose Mourinho kishte epërsi prej një goli deri në fund, por pranoi gol në minutën e katërt të kohës shtesë për barazimin 3:3.
Ramazan Civelek shënoi për mysafirët në minutën e shtatë, ndërsa Anderson Talisca barazoi në 1:1, në minutën e 36-të.
Portieri kroat, Dominik Livakoviq, realizoi autogol për rezultatin 2:1 në të mirë të mysafirëve, tre minuta pasi nisi pjesa e dytë.
Allan Saint-Maximin në minutën e 64-t dhe Talisca me një tjetër gol në minutën e 79-të, e përmbysën rezultatin por nuk e ruajtën atë deri në fund.
Në minutën e 94-t realizoi Talha Sariarslan për 3:3.
Kayserispori në pozitën e 13-të ka 37 pikë.
Deri në fund të kampanjës në Turqi kanë mbetur edhe gjashtë xhiro.