Superliga

Faza e katërt e kampionatit fillon me dy ndeshje të rëndësishme

Dukagjini - Malisheva

Në garë për titull të kampionit në elitën e futbollit të Kosovës aktualisht janë tri skuadra. Por, nga fillimi i fazës së katërt të kampionatit mund të shtohet edhe një kandidate - Malisheva.

Të shtunën dhe të dielën zhvillohen ndeshjet e xhiros së 28-të, që është e para e fazës së katërt, përkatësisht të fundit të edicionit. Deri në fund të kampionatit 2023/2024 kanë mbetur edhe nëntë xhiro.

Xhiroja e 28-të hapet me dy ndeshje të rëndësishme. Prej orës 15:00 janë takimet Malisheva – Dukagjini dhe Gjilani – Fushë Kosova.  

Në rast të fitores së Malishevës në stadiumin “Liman Gegaj”, kjo skuadër do të hynte seriozisht në garë për titull.

Llapi u bë lider në xhiron e kaluar. I ka 54 pikë. Ballkani ka 53 pikë në vendin e dytë, ndërsa Drita është e treta me 51 pikë. Malisheva ka 48 pikë në vendin e katërt. Pra nuk është larg skuadrave të kreut.

“Po, jemi të vetëdijshëm për situatën në të cilën gjendemi. Ne vijmë pas një ndeshjeje me Dritën, me një kundërshtare që kishim mundësi ta barazonim me pikë, ndeshje të cilën e dominuam dhe krijuam shumë raste, por nuk arritëm t’i arkëtonim tri pikë. Por, jam shumë i kënaqur me lojën dhe angazhimin e lojtarëve të mi. Ndeshja me Dukagjinin është mjaft sfiduese. Sado që kundërshtari duket pa ambicie, di të jetë mjaft i rrezikshëm në këto situata. Kështu që ne pa dyshim se do ta trajtojmë në mënyrën sa më profesionale të mundshme dhe do t’i qasemi kësaj ndeshjeje me shumë seriozitet”, ka thënë trajneri i Malishevës, Qëndrim Kida, të premten për KOHËN.

Malisheva e Drita kishin barazuar 1:1 në xhiron e kaluar.  

Dukagjini i Klinës zë vendin e gjashtë me 35 pikë dhe këtë vit ka pasur formë të luhatshme. Udhëton në Malishevë pas barazimit me Gjilanin, që ishte i dyti këtë vit. Ka edhe pesë humbje e katër fitore.

Mesfushori Bujar Shabani e di se udhëtimi në Malishevë do të jetë i vështirë, por ka thënë se Dukagjini do të luajë vetëm për pikët e plota.

“Të shtunën na pret një ndeshje shumë e vështirë kundër Malishevës që po kalon në moment shumë të mirë. E kemi analizuar kundërshtarin dhe jemi përgatitur maksimalisht për këtë takim. Nuk kemi çfarë të humbim dhe do të futemi vetëm për fitore”, ka deklaruar mesfushori me përvojë.

Ndeshje të rëndësishme për mbetje në elitë do të luajnë Gjilani e Fushë Kosova. Ndeshja zhvillohet në terrenin me bar sintetik në Gjilan.  

Portieri i rikthyer nga lëndimi i gjilanasve, Aridon Bllaca, beson në fitore.

“E kam kaluar në tërësi lëndimin që kam pasur dhe kam vijuar normalisht stërvitjet gjatë gjithë javës. Jam i gatshëm për ndeshjen e radhës e cila është tepër e rëndësishme për ne. E dimë që kjo përballje nuk do të jetë aspak e lehtë, ditur u bazuar edhe në ndeshjet e kaluara dhe atë që kundërshtari ka kohën e fundit. Ne jemi të kompletuar dhe presim që këtë ndeshje ta fitojmë së bashku me ndihmën e tifozëve”, është shprehur Bllaca.

Gjilani aktualisht ka 27 pikë në vendin e tetë, që në fund dërgon në barazh. Fushë Kosova në vendin e nëntë, përkatësisht të parafundit, ka 20 pikë. Një tjetër humbje mund të ndikojë në rrjedhën e kampionatit për Fushë Kosovën dhe këtë e di mirë edhe trajneri Burim Shala.

Shala u përjashtua me karton të kuq në humbjen nga Feronikeli 74 dhe nuk do të jetë pranë lojtarëve, por thotë se janë përgatitur maksimalisht.

“Shpresa ka ende edhe pse po na përcjellin disa probleme. Por, po arrijmë që ta mbajmë fokusin te kampionati dhe te ndeshjet e ardhshme. Në këtë edicion nuk ka përballje të lehta. Të gjitha janë të vështira. Por, ky takim është shumë i rëndësishëm për ne. Udhëtimi jonë do të jetë për pikët e plota”, ka deklaruar Shala.

Të dielën Ballkani mund ta shfrytëzojë një gabim të mundshëm të Llapit e ta kthejë kryesimin në tabelë, pasi ballafaqohet me Lirinë në Suharekë. Feronikeli 74 takohet me Prishtinën. Por i gjithë fokusi do të jetë në Podujevë te ndeshja Llapi – Drita.

Superliga – Java 28

E shtunë (15:00)

Malisheva – Dukagjini

Gjilani – Fushë Kosova   

E diel (15:00)

Llapi – Drita

Ballkani – Liria

Feronikeli 74 – Prishtina


  1. Llapi      27      16      6        5        42:20  54

  2. Ballkani  27      15      8        4        43:23  53

  3. Drita      27      15      6        6        34:17  51

  4. Malisheva         27      15      3        9        45:32  48

  5. Prishtina 27      8        15      4        31:22  39

  6. Dukagjini         27      8        11      8        28:34  35

  7. Feronikeli 74    27      8        5        14      24:37  29

  8. Gjilani    27      6        9        12      25:29  27

  9. Fushë Kosova  27      4        8        15      17:38  20

10. Liria       27      1        7        19      15:52  10